Me Brojën në stol, Chelsea pësoi një humbje të rëndë në shtëpinë e Liverpool, një humbje me “poker” golash që mban blutë shumë larg Evropës. Ekipi i Jurgen Klopp mori një tre pikësh të fortë që i mban të vetëm në krye të Premier League, në kuotën e 51 pikëve, 5 më shumë se sa Man.City, por “qytetarët” kanë një ndeshje më pak. Të kuqtë ishin të papërmbajtshëm duke dominuar Chelsea në çdo aspekt, krijuan 23 raste, goditën 13 herë kuadratin, humbën një penallti dhe goditën dy herë shtyllën, shifra që tregojnë qartë dominimin e frikshëm.
Diogo Jota dhe Bradley realizuan dy gola brenda 39-të minutash, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Nunez shpërdoroi një 11-metërsh duke goditur shtyllën. Menjëherë, me fillimin e pjesës së dytë, Pochettino bëri tre zëvendësime, por ishte sërish Liverpool që realizoi edhe golin e tretë. Në minutën e 71-të, Nkunku ngushtoi shifrat në 3-1, por pa mundur të rikthejë Chelsea-n në lojë pasi Diaz pak minuta më vonë realizoi dhe golin e katërt duke mbyllur llogaritë me blutë:
“Historia mund të ishte ndryshe nëse nuk do ta nisnim ndeshjen ashtu siç e nisëm. Mund të kishim shënuar dhe më shumë, humbëm dhe një penallti, por jam i kënaqur me paraqitjen e bërë, kjo është e qartë”, u shpreh Klopp pas ndeshjes. I dorëzuar pas këtij takimi u shfaq Pochettino: “Ishte gjithçka e qartë, ata ishim më agresiv se ne, fituan të gjithë duelet, thjesht ishin më mirë se ne, ndaj fituan”, theksoi trajneri i Chelsea-t.
()