Komandanti i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, Gramos Sako ka dhenë dorëheqjen nga posti që prej vitesh. Lajmi është konfirmuar nga burime për gazetarin Igli Çelmeta, sipas të cilave dorëheqja i është dorëzuar ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Dorëheqja është dorëzuar gjatë ditës së premtes dhe javën e ardhshme pritet të emërohet komandanti i ri i Gardës.
Dorëheqja vjen ndërkohë që Garda e Republikës pritet të zgjerohet me gardianë të tjerë, duke e çuar numrin në total prej 1505 efektivë. Gramos Sako është lindur në Tepelenë, më 19 Janar 1971. Që prej vitit 2013 ushtron detyrën në funksionin e Komandantit të Gardës së Republikës. Ai ka një eksperiencë të gjatë në fushën ushtarake. Pas diplomimit në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”, në vitin 1993 titullohet oficer.
Eksperiencën e tij të punës e nisi duke kryer detyrën e Komandantit të Togës në Gardën e Republikës së Shqipërisë, e duke vijuar më pas me kryerjen e detyrave në funksione si: Zëvendës Komandant Kompanie, Përgjegjës i Grupit të Ruajtjes së Ministrit të Rendit Publik dhe Përgjegjës në Grupin e shoqërimit të Kryetarit të Kuvendit, Shef Seksioni në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe Specialist në Drejtorinë e Kufijve dhe të Migracionit.