Kylian Mbappe ka zgjedhur Real Madrid, për këtë nuk ka më asnjë dyshim, janë të bindur në Spanjë, por edhe në Francë. Diskutimi i vetëm që bëhet këtë periudhë janë detajet ekonomike të këtij transferimi dhe kush do ta zëvendësojë në Paris. Sulmuesit francez i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni, është i detyruar që brenda kësaj periudhe të njoftojë edhe formalisht PSG për vendimin e marrë, që nuk do të rinovojë kontratën e tij. Në të njëjtën kohë është i detyruar të respektojë akordin personal që kishte vendosur me sheikun Al Khelaifi.
Në kontratën që palët kishin firmosur kohë më parë, në rast se Mbappe do të largohej falas nga Parisi, sulmuesi do të hiqte dorë automatikisht nga 80 milionë euro, bonusi i mirënjohjes. Mbappe jo vetëm që heq dorë nga 80 milionë euro kesh, por në Madrid do të përfitojë më pak se sa do të përfitonte te PSG, sheiku i kishte ofruar 72 milionë euro në sezon.
Këto detaje tregojnë qartë dëshirën e tij për të veshur fanellën e Realit, për të konkurruar për trofe të rëndësishëm. I gjendur përballë një fakti të tillë, Al Khelaifit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të punojë për pasuesin e Mbappe-s. Dy janë emrat kryesor në tavolinën e tij, Victor Osimhen dhe Rafael Leao. Me paratë që do të kursejë nga largimi i Mbappe, Al Khelaifi nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një tjetër top-player, kjo është e sigurt.
()