Të martën Interi ka marrë përgjigjet për testet mjekësore të Davide Frattesi. Dëmtimi miotendinoz në rectus femoris të kofshës së djathtë ka bërë që lojtari të humbasë ndeshjen e së shtunës kundër Romës dhe për këtë arsye do të rivlerësohet situata në fillim të javës së ardhshme, për të kuptuar nëse mesfushori mund të jetë gati në 16 shkurt kundër Salernitanës, ose do të jetë më mirë të lihet pushim deri në ndeshjen e parë të Champions League kundër Atletico Madrid.
Lajme të mira vijnë nga Sky Sport, ku shkruhet se Frattesi mungon vetëm ndaj Romës, e më pas vendimi për aktivizimin e tij në vijim varet nga Inzaghi. Frattesi është te Interi që nga vera e kaluar, kur u afrua në formë huazimi me detyrim blerje. Ky operacion në total i kushtoi Interit mbi 30 milionë euro, shifër kjo që rritet në 40 të tilla, nëse merren parasysh bonuset. Këtë sezon, futbollisti ka luajtur në 27 takime dhe ka realizuar 4 gola.
Sa i takon gjendjes së lojtarve në përgjithsësi para sfidës me Romën në kryeqytet, zikaltërit vuajnë mungesën e Cuadrados. Të gjithë të tjerët do të jenë në dispozicion, për të synuar vetëm 3 pikët ndaj ekipit të De Rossit.
(J.S/)