Deputetja demokrate Ina Zhupa e ftuar në studion e News24 ka folur lidhur me aksionin e opozitës dhe veprimet e fundit të saj dhe kolegëve kundër mazhorancës.
Zhupa u shpreh se skenari i ndjekur nga opozita ësht ënjë pasojë e shkeljeve të kryera nga mazhoranca socialiste.
Ajo zbuloi se demokratët po përgatisin një padi për sjelljen e kryeparlamentares Lindita Nikolla për atë që ndodhi në Kuvend ditën e hënë, si edhe për sjelljen e gardistëve në hyrjen e sallës.
“Skenari i opozitës është një pasojë e shkeljeve të mazhorancës. Kemi vendosur të mos bëjmë një fasadë duke ndenjur urtë dhe duke ngritur kartonin. Në momentin kur nuk respektohen më të drejtat dhe votohet kundër çdo iniciative të opozitës, ne nuk po kërkojmë ndonjë pushtet, por të drejtat tona si opozitë. Nuk mund të sillemi njëlloj si para dhe pas kësaj. Nuk mund të ketë normalitet kur mohohen të drejtat e opozitës.
Ne po bëjmë gati padinë për sjelljen e zonjës Nikolla ditën e hënë dhe sjellje ne gardistëve. Ju e patë se si jemi përleshur fizikisht sepse nuk na lejonin të hynim. Ne do të vijojmë betejën me shpresën se këto institucione do t’i përgjigjen thirrjes tonë”, u shpreh ajo.