Interi bën…Interin. Pas triumfit ndaj Juventusit, këtë herë Lautaro me shokë ia dolën të marrin 3 pikë të arta, pasi mundën 2-4 Romën në kryeqytet. Acerbi ndezi festën zikaltër në minutën e 17-të, teksa realizoi me kokë, ndërsa për konfirmimin e golit u desh ndërhyrja e sistemit VAR. Të besuarit e De Rossit përmbysën sfidën brenda fraksionit, me Mancinin dhe El Sharaawyn.
Djemtë e Inzaghit u futën me shumë dëshirë në pjesën e dytë dhe kthyen gjithçka në favorin e tyre. Fillimisht Thuram barazoi shifrat, ndërsa Angelino shkaktoi autogol më pas.Interi mbrojti me fanatizëm rezultatin deri në fund, madje “tundi rrjetën” edhe me Bastonin, për të shkuar në kuotën e 60-pikëve në krye, 7 pikë larg ndjekësit më të afërt. Në krahun tjetër, Roma e vendit të pestë zbret me këmbë në tokë, pas disa fitoreve radhazi që kur erdhi De Rossi.
(J.S/)