Ernest Muçi u largua nga Legia e Varshavës për të nisur një aventurë të re te skuadra e Besiktas. Një nga tifozët më të mëdhenj të sulmuesit kuqezi është edhe trajneri i skuadrës polake, Kosta Runjaic, i cili ka dashur të mbajë në ekip lojtarin. Numri një i pankinës së Legias, Runjaic ka dhënë një intervistë për mediat turke, ku shprehet se Muçi vlen më shumë se 10 milionë euro.
“Për Ernest Muçin kemi pasur shumë oferta nga fillimi i sezonit, bëhet fjalë për klube të ligave kryesore në Europë. E prisnim që për të do të vinte një ofertë e madhe në aspektin financiar pasi Muçi shkëlqeu në ndeshjet e Kupës së Europës me Legian. Unë luftova shumë që Muçi të qëndronte me Legian, të paktën deri në fundin e këtij sezoni. E dija fare mirë se skuadra do të përfitonte shumë nga Muçi dhe vetë ai do të fitonte edhe më shumë vëmendje nga performancat me Legian. Megjithatë, gjërat rrodhën në një tjetër drejtim.
A mjaftojnë 10 milionë për Muçin? Muçi ishte lojtari im, dhe ishte një nga më të rëndësishmit. Unë nuk do ta lija të largohej as për dyfishin, por kështu funksionon. Muçi është nga ata lojtarë që këtë vlerë mund ta dyfishojë ose trefishojë në vitet e ardhshme” – Tha tekniku.
(J.S/)