Emisioni Vetting, në News24:
Jo shumë larg nga vila e ish kryeministrit të regjimit komunist, Mehmet Shehu gjendet një shesh punimesh që lidh fondet e Rindërtimit me parajsat offshore të Londrës.
Projekti për këtë shesh ka nisur më 29 maj 2023, kur Agjencia e Zhvillimit të Territorit midis dhjetëra lejeve për parqe fotovoltaike dhe komplekse do të miratonte lejen e zhvillimit për resortin “Azure Elegance Hotel”.
Historia e kompanisë “ADRIATIC UNION” e ka zanafillën jo shumë larg nga bregdeti i Durrësit, në zyrat e “Big Bar”, ku në vitin 2022 Petrit Kovaçi del ortak me vëllain e drejtorit aktual të Tatimeve, Genti Klosi dhe me Oliver Ushinën.
Dritëhijet e tenderave të Rindërtimit
Petrit Kovaçi, babai i drejtorit të Ujësjellësit, ka 50% të aksioneve të kompanisë, Genti Klosi ka 25% të aksioneve dhe ortaku tjetër Oliver Ushina zotëronte 25% të aksioneve.
Në vitin 2022, Petrit Kovaçi, nëpërmjet kompanisë “ADRIATIK” shpk fiton në shkelje të ligjit nga Bashkia Durrës, tenderin për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemin e rrjetit të ujërave të shiut në pjesën urbane të Durrësit për fazën e parë.
Ky fond ka vlerën 1,97 miliardë lekë ose 20 milionë euro, para publike, të cilat mesa duket kanë si destinacion matrioshkën e resortit në Durrës.
Por pas 7 muajsh, pjesa nuk ndahet më në 3. Një nga ortakët, Oliver Ushina i shet aksionet Genti Klosit, duke fuqizuar këtë të fundit me 50% të aksioneve nga kompania “ADRIATIC UNION”.
Në të dhënat e kompanisë rezulton se subjekti ka në zotërim toka dhe ndërtesa me vlerë 761 milionë lekë. Por, Oliver Ushina ia shet aksionet e veta me një vlerë të papërfillshme, prej 25 mijë lekësh.
Janë ekspertët e pronave që ngrejnë pikëpyetje: Si mund të shiten lirë aksionet e një kompanie që ka asete me vlerë të lartë në qytetin bregdetar?
Këto transaksione ngrejnë pikëpyetje se si aksionet u shitën për 25 mijë lekë.
Në nëntor të vitit të kaluar, “Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës për vendndodhjen e objektit. Pas këtij interesimi Bashkia e Durrësit deklaroi zyrtarisht se “ADRIATIC UNION” nuk ka leje ndërtimi nga institucioni dhe kompetencat për informacione të mëtejshme shtrihen tek Agjencia e Zhvillimit të Territorit.
Ekskluzivisht, emisioni “Vetting” zbulon vendndodhjen ku është marrë leja e zhvillimit nga kompania “ADRIATIC UNION”.
Nga investigimi në terren zbulohen të dhëna që ngrejnë pikëpyetje për Bashkinë Durrës. Në tabelën e punimeve, del se më herët po për të njejtin vend është marrë një leje ndërtimi në vitin 2019 nga “USHINA” shpk, ku punimet do të përfundonin në vitin 2023.
Mbetet e paqartë përse nuk është ‘ekzekutuar’ kjo leje.
Leja për “USHINA” shpk është miratuar nga ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Ky i fundit gjendet në paraburgim për ndërtimin e një pallati dhe për projektin e “Promendate”.
Nga informacionet e siguruara zbulohet se resorti do të ketë sipërfaqe më të madhe se projekti që ka patur “USHINA” shpk, në pronësi të Oliver Ushinas.
Por kush është Oliver Ushina?
Biznesmeni Ushina është bashkëshorti i ish-gjykatëses Ema Gashi, kjo e fundit është përjashtuar për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.
Përjashtimi erdhi pasi u tërhoq nga detyra, për të shmangur procesin e kualifikimit dhe kontrollit të pasurisë nga sistemi i “Vettingut” në Drejtësi.
Nga kërkimet e “Vetting” zbulohen kompani offshore që lidhin Oliver Ushinën me familjarë të personave në kërkim nga drejtësia italiane.
Konkretisht në vitin 2017, Tefta Zekaj hap kompaninë “FZ Group Limited” në Londër dhe në 2019 vendos si drejtor Oliver Ushinën.
Në 2020 Oliver Ushina bëhet aksioneri kryesor i kompanisë, por nga regjistri i kompanive britanike nuk ka informacione për vlerën e transaksioneve. Është e paqartë se sa para janë investuar për këtë kompani dhe sa është vlera e aksioneve që ka blerë Oliver Ushina nga Tefta Zekaj.
Më pas, Ushinaj ka ndryshuar emrin e kompanisë në “USHINA” në gusht 2020, pasi ka emrin e ngjashëm me kompaninë “F.Z Construction” shpk në Shqipëri, në pronësi të Tefta Zekaj.
Por Zekaj është mamaja e Fejzo Zekaj, person i kërkuar dikur nga policia italiane. para 19 vitesh. Biznesmeni Zekaj ishte shpallur në kërkim nga Ministria e Brendshme e Italisë që prej dhjetorit 2004, por urdhër-arresti nuk u ekzekutua për më shumë se një dekadë.
Në dhjetor 2004, Interpol Roma u kërkoi homologëve në Tiranë arrestimin e tij me qëllim ekstradimin në Itali, por urdhri mbeti pezull për arsye të paqarta.
Ekstradimi i tij nuk ndodhi asnjëherë, edhe pse Prokuroria e Tiranës e ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të hetimeve.
Pikërisht kjo shmangie e ekstradimit, edhe pse marrëveshja me Italinë është zbatuar me qindra herë në këto vite, mësohet se është kthyer në objekt hetimi nga SPAK. Ky hetim mund të zbardhë edhe lëvizjet me çmime qesharake të aksioneve nga Ushina te Gent Klosi e më pas, nga Gent Klosi te Kovaçi. Ky i fundit i bleu Genti Klosit gjysmën e aksioneve me vlerë 50 mijë lekë.