Prej tri ditësh të gjithë tifozët kanë mundësinë të blejnë një biletë për derbin e nesërm mes Partizanit dhe Tiranës në “Air Albania” në orën 19:00. Klubi i kuq, që është pritës i sfidës, ka publikuar çmimet në të gjithë sektorët.
Bileta më e lirë për derbin është 500 lekë dhe i përket tribunave pas portave. Në tribunën përballë, në tre sektorët qendrorë (E104, E105 dhe E106) bileta kushton 1500 lekë të reja, teksa në gjithë pjesën tjetër të tribunës, 1000 lekë. Në tribunën kryesore çmimet janë 3000, 4000 dhe 5000 lekë.
Aktualisht, biletat mund t’i siguroni në stadiumin “Selman Stërmasi”, nga ora 10:00 deri në 18:00, si dhe “online”. Interesimi deri më tani ka qenë i konsiderueshëm, pasi janë shitur afro 7 mijë bileta.
Policia e Shtetit si zakonisht ka thirrur në takim përfaqësuesit e dy klubeve dhe krerët e tifozërive ultrase. Në këtë mbledhje janë përcaktuar të gjitha masat e sigurisë, si dhe janë caktuar edhe rrugët nga ku tifozëritë do të kalojnë gjatë marshimit të tyre. Qëllimi është që të mos ketë përleshje në rrugë. Priten rreth 15 mijë tifozë në stadium.
()