Shoqata Rajonale e Futbollit Fier zhvilloi ditën e sotme punimet e Asamblesë së Përgjithshme, ku u morën disa vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike në këtë qark sportiv.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 23 anëtarë të shoqatës të përfaqësuar nga 38 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2024, miratimin e rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025, zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFF në asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, si edhe pranimin për anëtarësim.
Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier ishte e pranishme edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila fillimisht i uroi punime të mbara Asamblesë edhe në emër të FSHF-së dhe Presidentit, Armand Duka.
Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, tha se mbëshetja e Federatës Shqiptare të Futbollit për SHRFF-në do të vazhdojë të jetë e madhe me projekte konkrete, për të përmirësuar infrastrukturën e bazën materiale, si edhe për të perfeksionuar në maksimum akademinë e edukimit.
“Në emër të FSHF-së dhe presidentit Duka i uroj sot kësaj Asambleje punë të mbarë. Unë e kuptoj se Kombëtarja jonë e madhe do të marrë vëmendjen maksimale, njerëzore, mediatike dhe prakitike për shkak të kualifikimit historik në vendin e parë në grup për në Euro2024.
Por ky zhvillim, nuk do të na pengojë ne këtu brenda, për të vazhduar punën, për të përmirësuar infrastrukturën e bazën materiale, për të perfeksionuar në maksimim akademinë tonë të shkollimit që do të kontribuojë kudo dhe kurdoherë me ekspertizë profesionale në të gjitha fushat, që nga trajnerët, fizioterapistët, kualifikimin për portierët, marrëdhëniet me publikun e një sërë fushash, ku ne si FSHF kemi maksimalisht mbështetjen dhe vëmendjen edhe të UEFA-s dhe FIFA-s”, – tha fillimisht Anila Basha.
Më pas, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, përgëzoi anëtarët e shoqatës për punën e mirë të bërë te futbolli i vajzave dhe vlerësoi projektin e ri teknik për ekipet përfaqësuese rajonale të vajzave të vitlindjeve 2009 – 2012, që është një risi e FSHF-së që do të nisë së shpejti.
“Si kryetare e komisionit të futbollit të vajzave në Komitetin Ekzekutiv, më lejoni t’ju përgëzoj për ecurinë shumë të mirë që keni me futbollin e vajzave në Shqipëri. Klubi i Apollonisë, tanimë e ka marrë statusin e një klubi elitë çka dëshmon për faktin se kur gjërat i marrim seriozisht, kur kemi pasionin, vullnetin dhe dëshirën për të ecur përpara, mund të arrijmë edhe suksesin.
Këtë vit, sikurse ju jeni informuar nga puna e Drejtorisë Teknike në FSHF me Drejtorin Pea, ne kemi nisur projektin e ri teknik për ekipet përfaqësuese rajonale të vajzave të vitlindjeve 2009 – 2012, një risi e FSHF-së që do të nisë së shpejti. Një projekt sa ambicioz, aq edhe i realizueshëm” – tha anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.
Pas verifikimit të mandateve, Kryetari i SHRF Fier, Ilias Haxhiraj, mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi se SHRFF i ka përmbushur me sukses objektivat e vendosura gjatë vitit 2023.
Haxhiraj tha se projektet e FSHF-së si “Topi Im”, “Uniforma Ime”, “UEFA Playmakers”, “Programi i futbollit në shkolla”, “Projekti për futbollin e bazës” si edhe mbështetja financiare e futbollit të vajzave kanë pasur një impakt të madh në zhvillimin e futbollit në rajonin e Fierit dhe kanë sjellë impakt shumë pozitiv.
Më tej, u vijua me rendin e ditës, teksa u miratuan pasqyrat financiare, buxheti për vitin 2024 si edhe rregullorja e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.
Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier vendosi të përjashtojë anëtarët, FC Vidhishta, Fratari Sport Devolepment, Lushnja Future Lions dhe Klubi i Futbollit Çerma.
Gjithashtu, Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier ju shtuan pesë anëtarë të rinj me të drejta të plota që janë: “Shoqata e Futbollit AF Arnisa”, “Shoqata FAMA Futboll”, “Akademia Junior Vlorë”, “F.K Klifest” dhe “KS Arnisa”.
SHRFF në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së do të përfaqësohet nga tre delegatë, Ilias Haxhiraj, Andi Papuçiu dhe Judmir Gaxheli.