Tirana shtyn sërish takimin me fitoren, teksa sot në “Elbasan Arena” barazoi 1-1 me Laçin. Takimi filloi me malore për kurbinasit, të cilët mbetën me një lojtar më pak që nga minuta e 18-të. Paulo Silva u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri, pas një ndërhyerje ndaj Lushkja-s. Në të 34-tën, Abazaj lëshoi sinjale në portën kundërshtare, me anë të një goditje të bukur, por pa mundur dot të dërgojë topin në rrjetë.
Në superioritet numerik, bardheblutë u hodhën në sulm në pjesën e dytë, për të gjetur golin e avantazhit. Në të 54-tën minutë, të besuarit e Erbim Fagut festuan pas golit të Lushkja-s. Laçi nuk u dorëzua dhe ia doli të vendosë ekuilibrat 10 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, me Myrta-n, i aktivizuar vetëm pak më parë. Tirana renditet në vendin e katërt me 35 pikë. Për Laçin barazimi i pestë radhazi në kampionat dhe vendi i shtatë në renditje me 30 pikë.
Vllaznia triumfoi 0-1 ndaj Dinamo Cityt, në përballjen e mbajtur në “Niko Dovana”. Pjesa e parë përfundoi 0-1 në favor të shkodranëve, të cilët iu falën një goli fantastik të Alivodës. Dinamovitët provuan të reagonin dhe në të 70-tën Zabërgja shkaktoi drithërima në stadium, por vetëm kaq. Ekipi i Qatip Osmanit u përpoq që të mbronte me fanatizëm rezultatin deri në fund, ndaj një rivali që shpeshherë shfaqej mjaft agresiv. Me këtë sukses, Vllaznia renditet në vendin e dytë me 43 pikë, ndërsa Dinamo mban vendin e pestë me 35 pikë.
(J.S/)