TIRANË – Deputeti i Partisë Socialiste Denis Deliu, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24, duke folur për Samitet që do të mbahen në Tiranë, tha se vizita e presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyt në vendin tonë është historike. Deliu u shpreh se Ukraina po lufton për Europën dhe ka vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë.
“Vizita e Zelenskyt është vlerësim për Shqipërinë, mund të themi se është historike për vendin tonë. Ne kemi pasur ushtarakë ukrainas, që janë trajtuar këtu. Shqipëria ka dhënë kontribut për paqen dhe besoj se presidenti ukrainas e vlerëson vendin tonë. Zelensky ka bërë edhe deklarata të forta, duke u shprehur se Rusia nëpërmjet Serbisë do që të përhapë konflikte në Ballkan. Lufta në Ukrainë ka bërë që viktimat nga të dyja palët të jenë të shumta dhe kështu urrejtja shtohet.
Urojmë të ketë paqe dhe vendet në konflikt të ulen, por se paqja duket larg. Deri tani përpjekjet për të rrëzuar Putinin kanë qenë të kota. Ukraina po bën luftë për Europën, ndërsa Rusia po mbështetet tek Koreja e Veriut, Irani dhe Kina. Shqipëria ka kapacitetet për të pritur Volodymir Zelenskin, pasi këtu është pritur me masa sigurie presidenti amerikan George Bush, janë pritur Sekretarë Amerikanë Shtetesh. Kjo tregon se parametrat e sigurisë ndaj tyre kanë qenë optimale”, deklaroi Deliu.
()