Më mision mbrojtjen e trofeut, Egnatia hedh një tjetër hap të rëndësishëm, siguron një biletë për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Rrogozhinasit mposhtën Laçin edhe në sfidën e kthimit, këtë herë me rezultatin 3-1, ndërsa takimin e parë e kishin fituar 0-1 në transfertë. Armando Cungu debuton me humbje në krye të Laçit, por ishte e pamundur të bënte diçka më shumë në kaq pak kohë.
Egnatia mori shpejt kontrollin e lojës duke kaluar në avantazh me Montenegron që në minutën e 19-të. Në të 38-të, Egnatia fitoi një 11-metërsh. Aleksi u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat.
Përmbysja dukej një mision i pamundur për Laçin teksa me fillimin e pjesës së dytë, Montenegro realizoi edhe golin e tretë për Egnatian dhe të dytin personal. Laçi u përpoq të rikthehej në lojë teksa në minutën e 61-të, Myrta ngushtoi shifrat në 3-1.
Ndeshja mund të merrte një tjetër rrjedhë, teksa Laçi fitoi një 11-metërsh shtatë minuta më pas, por Kryeziu gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund, me Egnatia që fluturon në fazën gjysmëfinale.
()