Shoqata Rajonale e Futbollit Korçë ka zhvilluar punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, ku të pranishëm ishin 8 anëtarë të shoqatës të përfaqësuar nga 13 delegatë dhe u morën disa vendime të rëndësishme për mbarëvajtjen e futbollit në këtë rajon.
Në punimet e Asamblesë së SHRF Korçë u diskutua mbi, raportin e aktivitetit të shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2024, zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFK-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, pranimin për antarësim, miratimin e rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025, si edhe ndryshimi i adresës së selisë së SHRF Korçë.
I pranishëm në punimet e Asamblesë së SHRFK-së ishte edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Ylli Çekiçi, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse vlerësoi punën e mirë të bërë nga anëtarët e SHRF Korçë dhe theksoi se duhet punuar më shumë për të afruar sa më shumë vajza në botën e futbollit.
“Në këtë rajon ka pasur rritje të ekipeve dhe të numrit të fëmijëve që angazhohen në futboll. Nuk mund të lëmë pa përmendur futbollin e vajzave, që FSHF po e mbështet financiarisht dhe do vazhdojë ta bëjë. Me përkushtimin e të gjithëve, me ndihmën tonë dhe dëshirën e mirë të të gjithë aktorëve, duhet të punojmë për të sensibilizuar dhe afruar më shumë vajza në botën e bukur të futbollit” – tha fillimisht anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Më tej, Ylli Çekiçi, i garantoi anëtarëve mbështetjen e plotë të FSHF-së dhe i ftoi ata të sjellin propozime konkrete për përmirësimin e infrastrukturës dhe për ide që ndihmojnë në zhvillimin e futbollit në këtë rajon.
“Shoqata Rajonale e Futbollit Korçë ka pasur mbështetjen e FSHF-së me projekte madhore si “Topi Yt” dhe “Uniforma Ime”, përmes të cilave kompletohen të gjithë fëmijët me bazën e nevojshme materiale. Gjithashtu edhe në aspektin e infrastrukturës FSHF ka qenë e gatshme për t’ju mbështetur me anë të projektit “100 fushat” dhe gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar përmes propozimeve tuaja. Ndaj ju ftojmë që të sillni vazhdimisht ide konkrete për përmirësimin e infrastrukturës, por edhe për iniciativa që ndihmojnë zhvillimin e futbollit në këtë rajon e që mund të bëhen realitet me mbështetjen e FSHF-së” – tha ndër të tjera Ylli Çekiçi në fjalën e tij përshëndetëse.
Kryetari i SHRF Korçë, Ilirjan Përmeti tha se gjatë vitit të kaluar janë plotësuar objektivat e vendosura, duke shënuar suksese në rritjen e ekipeve dhe numrit të lojtarëve. Ai theksoi se një ndikim të madh në këtë sukses kanë patur projektet e FSHF-së si “Topi Im”, “Uniforma Ime” por edhe mbështetja e madhe për futbollin e femrave.
Gjithashtu Kryetari i SHRF Korçë, Ilirjan Përmeti vlerësoi edhe futbollin amator në veçanti kampionati “Sunday League” 11×11, i cili organizimi i tij tashmë është kthyer në traditë në qytetin e Korçës. Prioritetet kryesore të SHRFK-së përfshijnë, evidentimin e futbollistëve të spikatur në ekipet e moshave dhe vëzhgimin, përzgjedhjen dhe punën e vazhdueshme me ta.
Me anë të votimit të anëtarëve të SHRFK-së u miratuan pasqyrat financiare dhe buxheti për vitin 2024. Gjithashtu u miratua edhe rregullorja e e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.
U zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFK-në në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së të propozuar nga anëtarësia që janë, Ilirjan Përmeti dhe Nesti Binishi. Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë ju shtua edhe një anëtar i ri me të drejta të plota që është: “Shoqata Akademia e Futbollit Pogradeci”.
Në fund, u miratua edhe ndryshimi i adresës së selisë së SHRFK-së, që do të jetë lagjja Nr.1 Rruga Rilindasit, Korçë.