Një aksident ka ndodhur pak më parë në By Pass-in në dalje të qytetit të Beratit, në lagjen “Uznovë e madhe”. Një automjet Skoda Fabia duke udhëtuar drejt daljes së qytetit, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me dy shtylla të ndriçimit.
Si pasojë e aksidentit, automjeti është shkatërruar totalisht në pjesën e përparme, ndërkohë që drejtuesi i saj ka dalë nga mjeti pa lëndime.
Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të shumtë të qarkullimit rrugor, të cilët po kryejnë edhe veprimet e para në vendin e aksidentit, për të kuptuar shkaqet dhe dinamikën e tij.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se shkak për aksidentin mendohet të jetë bërë shpejtësia përtej normave të lejuara nga drejtuesi 28-vjeçar. Si pasojë e aksidentit, prej më shumë se gjysmë ore vijon të jetë pa ndriçim rruga e By Pass-it për shkak të dy shtyllave të dëmtuara pas përplasjes.