TIRANË – Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, e ftuar në Kjo javë në News24 të moderatores Nisida Tufa, duke folur për uljen e numrit të studentëve në rrethe, deklaroi se universitetet do të profilizohen. Manastirliu u shpreh se kanë gati një plan rajonal, që do të bëjë që universitetet të ofrojnë ata degë, në të cilat mund të merren njohuri për fusha me interes për vetë zonën.
“Ne kemi nevojë për një ofertë të re akademike, që të jetë tërheqëse, por edhe për profolizim të universiteteve, gjë e cila kërkon strategji efektive. Kemi nisur punën tek Universiteti i Korçës, që të transformojmë këtë universitet, drejt profilizimit. E kemi quajtur plan rajonal, sepse degët do të bazohen edhe mbi zhvillimin që kanë rajonet. Në Korçë prsh mund të zënë vend degë si bujqësia, agro-turizmi dhe teknologjia e inovacionit, që duhet të ndërthuren bashkë dhe të ofrojnë paketën e re të profilizimit të universitetit dhe ofertën e re akademike.
Kemi edhe grupin e punës, që është duke përfunduar një dokument politikash për arsimin e lartë 2020-2030, për të orientuar pikërisht programet e reja akademike, duke përfshirë gjithë universitetet, duke u fokusuar tek profilizimi i universiteteve të rajoneve dhe nga ana tjetër edhe për të zgjeruar programin e ndërkombëtarizimit me programe të përbashkëta me universitete prestigjoze dhe diploma dyfishe dhe që ne do ta lancojmë në muajin tetor”, tha Manastirliu.
Duke u ndalur tek problemet që sjell teknologjia në duart e nxënësve dhe studentëve, Manastriliu deklaroi se Ministria e Arsimit ka përpiluar kurrikula, ku nxënësit mësojnë për mediat dhe sigurinë kibernetike e atë të rrjeteve sociale.
()