TIRANË – Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën Opinion në News24, duke komentuar faktin se Gjykata e Lartë vendosi që hetimet e 21 janarit do të bëhen nga SPAK, deklaroi se beson se këto janë vendime që merren nga PS, duke shtuar se nuk ka drejtësi të pavarur. Lubonja theksoi se përgjegjës për ngjarjen e rëndë janë të dyja palët.
“Për vendimin për 21 janarin, do të thosha se këto janë vendime të PS, nuk ka drejtësi të pavarur. Ngjarja është e rëndësishme, por se nuk është bërë asnjëherë drejtësi, por është instrumentalizim politik. Kjo sepse nëse do të bëhej drejtësi e vërtetë, përgjegjësit për vrasjet janë të dyja palët. Unë shoh përgjegjëse të dyja palët, të dyja palët duhen hetuar”, tha Lubonja.
Më tej, Lubonja komentoi marrëveshjen mes maxhorancës dhe opozitës, që kjo e fundit të hyjë në Kuvend dhe të ngrihen dy Komisione Hetimore. Sipas tij, nga marrëveshja fiton më shumë Rama sesa opozita.
“Mendoj se maxhoranca ka shumë gurë, që i lëviz këtej e andej. Edhe marrëveshjet janë strategji, që bëhen më së shumti për interesa të maxhorancës. Me këtë marrëveshje, duket sikur maxhoranca po e njeh Rithemelimin. Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar normalitet në parlament. Edi Rama ka dhënë dy çështje për hetime, pse nuk i dha të gjitha çështjet për hetim. Jep për hetim atë që dëshiron Rama. Duhet të tërhiqej ligji i ri për Komisionet Hetimore. Kjo që u arrit mund ta kthejë edhe opozitën një fasadë në parlament. Opozita ka nevojë për një mbështetje më të madhe të njerëzve. Gjithashtu opozita duhet të reflektojë edhe për bashkim sa më të gjerë, por duket se nuk kanë fuqi për këtë punë. Me këtë situatë, Rama merr më tepër fitore se opozita. Për Ramën, legjitimimi ndërkombëtar është i rëndësishëm. Duhet që të gjithë opozitarët, pavarësisht dallimeve, të bashkohen dhe të mendojnë për rikthimin e demokracisë. Duhet menduar për rezistencë, pastaj për fitore, e cila ndoshta vjen edhe për faktin se maxhoranca mund të shkatërrohet së brendshmi”, deklaroi Lubonja.
()