Durrës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Përpunonte në banesë, lëndë narkotike, duke e ndarë në doza, me qëllim shitjen, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike cannabis sativa në formë boçeje, 1 grirëse dhe 2 kallëpe metalike të cilat dyshohet se përdoreshin për grirjen dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza.
Në vijim të kontrolleve të bazuara në inteligjencën policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Durrës, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Ardi Rexhepi.., në fshatin Xhafzotaj.
Gjatë kontrolleve në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 makineri dhe 2 kallëpe metalike të cilat dyshohet se përdoreshin për grirjen dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 53 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike në sasi, i pëpunonte në banesë dhe i ndante në doza, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave dhe në lagjet e qytetit të Durrësit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.