Një ngjarje ka ndodhur në Shkodër teksa është qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Gent Larushku i cili nuk është plagosur duke i shpëtuar plumbave.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30 në zonën e Vinotekës në njësinë Rrethina të bashkisë Shkodër. Shtetasi Gent Larushku pretendon se është qëlluar nga një person që po lëvizte me biçikletë në një rrugicë në afërsi të banesës së tij. Ky shtetas arriti që t’ shpëtojë plumbave ndërsa dyshohet se automjeti i tij është qëlluar me një plumb në pjesën e pasme.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet. Efektivët morën në pyetje shtetasin Gent Larushku i cili deklaroi versionin e tij të ngjarjes.
“Isha në makinën time afër shtëpisë kur një person që nuk arrita ta njoh për shkak edhe të errësirës më qëlloi me pistoletë. Fatmirësisht arrita të shpëtoj. Ai u largua menjëherë dhe nuk arrita që ta njoh. Nuk e di arsyen e kësaj ngjarje sepse nuk kam konflikte me askend dhe nuk e di kush mund të jetë autori” deklaroi Larushku i cili është shoqëruar në komisariat për sqarime të mëtejshme.
Ndërkohë policia ka sekuestruar dy gëzhojat e plumbave të pistoletës në cilësinë e provës materiale dhe automjetin me të cilin po lëvizte Larushku për hetime të mëtejshme. Në vendin e ngjarjes ku u qëllua me armë nuk ka kamera sigurie ndaj edhe mbetet e vështirë për momentin identifikimi i autorit të dyshuar. Ndërkohë banorët që kanë shtëpitë shumë afër vendit të ngjarjes deklaruan se kanë dëgjuar të shtënat.
Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë dhe për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit.