Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe me koordinimin e Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, çelën sot në ambientet e “Medresesë Tiranë”, fushatën e bamirësisë në ndihmë të mbi 5300 familjeve me vështirësi ekonomike në mbarë vendin tonë. Në emër të KMSH, nënkryetari Taulant Bica, falënderoi përfaqësuesit e qendrës “Mbreti Selman” dhe Ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, që për të 6-tin vit mundësojnë aplikimin e projektit për familjet në nevojë përgjatë muajit të begatë të Ramazanit.
“Është me të vërtetë një kënaqësi që marr pjesë në inaugurimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për vitin 2024, projekt që prej disa vitesh financohet nga Qendra “Mbreti Selman” për Bamirësi dhe aplikohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ku përfitojnë më se 5300 familje në nevojë në vendin tonë”, tha nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica.
Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Fajsal Gazi Hifdhi theksoi gjatë fjalës së tij marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe forcimin e tyre përmes nismave si kjo.
“Qëllimi i këtij projekti është të lehtësojë sadopak rrethanat dhe jetesën e familjeve nevojtare në Shqipëri. Ai vjen si zgjatim i vizionit të qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite për shtrirjen e dorës së ndihmës ndaj familjeve në nevojë në muajin e Ramazanit. Projekti është tregues për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ambasadori, Fajsal Gazi Hifdhi.
Në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësuesit e Qendrës Humanitare “Mbreti Selman”, z. Faisal Alwahaibi, z. Fahad Aljunaidal, Drejtori i Medresesë Tiranë, Ndriçim Gjimi, si dhe imamë e familjarë të ndryshëm. Fushata, konsiston në shpërndarjen e pakove me ndihma ushqimore. Pakot me nga 70 kg ushqime secila, do t’ju dorëzohen përfaqësuesve të KMSH-së në 35 rrethe të vendit, më pas, këta të fundit do t’jua shpërndajnë familjeve në nevojë.