Një shtetas boshnjak 45-vjeçar, i cili i hodhi vaj të nxehtë në kokë gruas së tij, duke i shkaktuar asaj djegie shumë të rënda, u dënua me 13 vjet burg për kryerjen e torturës ose brutalitetit të martën (19/3) në Francë.
Gjyqi, i cili u zhvillua nga e hëna (18/3) në gjykatën e Colmar, kishte të bënte me ngjarjet e ndodhura më 21 korrik 2020 në banesën e këtij çifti boshnjak në Mulhouse.
Gruaja akuzoi tashmë ish-bashkëshortin se i kishte hedhur një tenxhere me vaj të nxehtë në kokë. Ajo duhej të dërgohej me helikopter në një qendër të specializuar djegieje, ku qëndroi për 25 ditë. Në këtë njësi, asaj iu desh të vendoseshin transplante lëkure dhe të ndërroheshin fashat nën anestezi, për të shmangur dhimbjen torturuese.
Para gjykatës ajo shpjegoi se në prag të sulmit i kërkoi partnerit të saj të largohej nga shtëpia. Për prokuroren Karin Gref, burri donte të ndëshkonte gruan e tij, duke përdorur një teknikë “mesjetare”: “Ai donte të vriste gruan, duke i hequr fuqinë e joshjes”. Prokurori ka rekomanduar që i pandehuri të dënohet me 15 vite burg.
Nga ana e tij, 45-vjeçari ka mohuar fajësinë. Sipas tij, gjithçka ka qenë një inicident në shtëpi: gruaja e tij kishte vënë vaj ngrohjeje në kuzhinë dhe se gruaja u përvëlua vetiu. Avokati i tij kërkoi lirimin e klientit. Megjithatë, prokurori zbuloi një sërë faktesh që bien ndesh me pretendimet e të pandehurit, si mungesa e vajit në tryezë.
Përveç dënimit me burg, 45-vjeçarit iu ndalua largimi nga territori francez dhe i hiqet përgjegjësia prindërore.
(Arena e Lajmit)