Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka ka deklaruar nga një takim me simpatizantë demokratë nga Hasi se duhet t’i hapet rruga qeverisë teknike.
Noka u shpreh se të gjithë demokratët janë zgjuar dhe ndodhen në këmbë.
“Jemi në këtë tur për një zgjim të madh popullor ‘për të fshirë nga faqja e dheut të keqen e Shqipërisë që e ka emrin Rama dhe Rilindja”, tha ai.
Deklarata e plotë:
Për fat të keq, ajo që ne dje votuam si drejtësi e re për shqiptarët dhe Shqipërinë është kthyer në një organizatë kriminale që nuk jep drejtësi, por merr peng liderin e opozitës, si bandat kriminale në rrugë vetëm e vetëm që të gjunjëzojë opozitën dhe PD-në.
Nga ana tjetër, drejtësia e re politike e Edi Ramës, shikoni çfarë bën, dhe jo më kot i themi organizatë kriminale.
Hajduten që vodhi taksat e shqiptarëve, dje e dënoi me 2.6 vite burg. Ju gjendën qindra e mijëra euro në shtëpi. Ndërsa hajduten e hajdutes, pastruesen që vodhi hajduten, me 7 vite burg.
A është kjo drejtësia që duan shqiptarët dhe që kanë votuar shqiptarët?
Unë them se jo. Kjo jo vetëm drejtësi nuk është. Ku ka drejtësi që hajduten e taksave të shqiptarëve ta dënojë me 2.6 vite burg, ndërsa pastruesen që vjedh hajduten me 7 vite burg.
Kjo ndodh vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, këtë e bën vetëm drejtësia e padrejtësisë që ka emrin Rilindje dhe Skap.
Sali Berisha sot mbahet peng nga shteti i bandave, mbahet i burgosur pa prekur asnjë cent të taksave të shqiptarëve në të gjithë jetën e tij.
Ndërkohë Ilir Beqaj, hajduti ndër më të mëdhejtë që ka parë Shqipëria në demokraci, hajduti nga më të rrezikshmit e këtij vendi, që ka abuzuar me miliona euro të shqiptarëve, nuk akuzohet për korrupsion nga skapi i partisë.
Pse?
Sepse padroni është ai që vendos akuzat, dhe kush është padroni i Skapit? Edi Rama.
Ilir Beqaj që shëndetësinë e shkatërroi së bashku me Ramën, sot nuk ka akuzë për korrupsion, por ka akuzë shpërdorim detyre.
Po pse?
Sepse po ti shtrëngoheshin darët e drejtësisë Ilir Beqes, ai do të tregonte padronin që fshihet pas tij, ai do të drejtonte gishtin, siç bëri edhe ish-numri dy i organizatës kriminale të rilindjes, Arben Ahmetaj duke drejtuar gishtin tek Edi Rama.
Kjo pra është drejtësia e re politike dhe ndaj sot demokratët janë në këmbë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.
Ndaj sot është koha që ne në këtë tur të themi ‘demokratët janë zgjuar, janë në këmbë’;. Ky tur do të shërbejë për një zgjim popullor, për ti dhënë një rrugë tjetër këtij vendi, dhe jo rrugën ku po e fut Edi Rama dhe rilindja.
Jemi në këtë tur, për një zgjim të madh popullor që të fshijmë nga faqja e dheut të keqen që ka pllakosur Shqipërinë në këto 11 vite, dhe që e ka emrin Edi Rama dhe Rilindje.
Sot Shqipëria për këto fakte që përmenda dhe mijëra e mijëra të tjera që nuk kemi kohë ti përmendim në këtë sallë është në mungesë të plotë të kohezionit social dhe politik.
Sot Shqipëria për shkak të bandës së pushtetit dhe drejtësisë, nuk ka dhe nuk mund të ketë në këto kushte që është, paqe sociale.
Sepse paqja sociale është vrarë nga Edi Rama.
Ka vetëm një rrugë që shqiptarëve tu kthehet paqja: Të largohet Edi Rama si shkaktari i çdo të keqeje në Shqipëri dhe në këtë vend dhe ti hapet rruga një qeverie teknike, e cila të ketë vetëm një mision, vota e lirë e shqiptarëve.
Vota e lirë është ajo fuqia që në duart tuaja do të bëjë ndryshimin.
Vota e lirë është ajo që do të çlirojë energjinë njerëzore këtu në Has, siç e çliruat në 14 maj, por në të gjithë Shqipërinë dhe do të mundësojë që në Shqipëri të kthehet shpresa dhe ndryshimi të bëhet realitet.
Misioni ynë dhe i PD-së është qeveri teknike që të kthejmë shenjtërinë e votës, të kthejmë shpresën, që të kthejmë lirinë në këtë vend dhe që të mundësojmë që Shqipëria të mos udhëtojë drejt asgjëkundit, siç e ka nisur Edi Rama, por të rrugëtojë e lirë dhe e paqtë drejt Europës, ëndërr e kahershme e jona.
Së bashku ne kemi treguar se fitojmë.
Ne së bashku e detyruam Edi Ramën që të kthejë parlamentin në normalitet.
Ne së bashku kemi treguar se fitojmë.
Ndaj sot jemi më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë që të ecim në rrugëtimin tonë për ti kthyer Shqipërisë dhe shqiptarëve dinjitetin e vjedhur dhe të nëpërkëmbur.