Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Lisandër Hoxha, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 të moderatores Ina Qirjo, deklaroi se është një lajm i mirë për Shqipërinë që parlamenti iu kthye normalitetit. Hoxha theksoi se PD do ia dalë kur të ketë një qeveri të re.
“Parlamenti kishte hyrë në krizë totale. Jeta parlamentare është kthyer në normalitet dhe do ngrihen Komisione Hetimore. Qeveria ka dalë nga misioni i qeverisjes. Jemi në luftë dhe do ia dalim kur t’iu japim shqiptarëve një qeveri të re. Ligji me investimet strategjike është i tillë që miku i kryeministrit do të bëjë resort në Himarë apo zona të tjera dhe dëmshpërblehet trualli i qytetarëve me shuma qesharake.
Kjo është qeverisje fasadë. Këtu spitalet bëhen të bukura, por kur hyn brenda nuk gjen ilaçe, ky është Rama dhe nuk ka ndryshuar. Korrupsion ka pasur në çdo qeveri, por korrupsion si në këtë qeverisje nuk ka pasur ndonjëherë. Ndërsa, Basha nga ana tjetër është një person, që është jashtë ringut politik. Ndjej keqardhje për Lulzim Bashën sepse është braktisur nga të gjithë e nuk përfaqëson asgjë”, deklaroi Hoxha.
(Arena e Lajmit)