Dy burra kanë pranuar se drejtonin një fermë masive kanabisi në West Lothian pas një operacioni policor që zbuloi drogë me një vlerë rruge deri në 850,000 £. Kenan Jenishi dhe Igli Duka, që të dy dyshohet se ishin me origjinë shqiptare, u deklaruan fajtorë për prodhimin e drogës së kontrolluar të klasit B në një njësi industriale.
Prokurorët thanë se në rastin e Kenanit do të vërtetohet nëse vepra është rënduar në lidhje me krim të rëndë të organizuar. Policia e Skocisë tha se oficerët sekuestruan një sasi të madhe bimësh kanabisi, me një vlerë të përllogaritur në rrugë midis 500,000 dhe 600,000 £ gjatë një bastisjeje në një ish-garazh në Livingston më 21 shtator 2023.
Disa orë më herët, detektivët kishin sekuestruar kanabis me një vlerë të vlerësuar në rrugë midis 80,000 dhe 250,000 £ pas ekzekutimit të një urdhri kontrolli në lokalet në Albion Industrial Estate në Glasgow. Një burrë 33-vjeçar u arrestua dhe u akuzua në lidhje me veprat penale të drogës në Perëndim të Skocisë dhe më vonë u paraqit në Gjykatën e Sherifit të Glasgow.
Kenan, 25 vjeç dhe Duka, 24 vjeç, u shfaqën veçmas para Gjykatës së Livingston përmes lidhjeve video nga burgu Addiewell. Të dy u deklaruan fajtorë ndaj aktakuzave dhe tanimë pritet dënimi i tyre. Gjykata shtyu dënimin për të dy burrat deri më 28 mars. Lirimi me kusht u refuzua dhe të dy të akuzuarit u lanë në paraburgim deri atëherë. Pavarësisht bastisjeve të drogës në të njëjtin mëngjes, inspektori detektiv Alan Ferguson tha se dy incidentet nuk ishin të lidhura.