Një burrë që mbante 15,000 £ në një qese plastike u arrestua nga policia pasi e kishin parë atë duke vepruar “në mënyrë të dyshimtë”. Rusten Gjoni po ecte përgjatë rrugës Corporation në Newport kur tërhoqi vëmendjen e tyre, dëgjoi gjykata e kurorës së qytetit.
38-vjeçari shqiptar kishte mbërritur në Britaninë e Madhe vetëm pak ditë më parë, pasi ishte futur në vend ilegalisht nga kontrabandistët. Hetuesi William Bebb tha: “I pandehuri u pa duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë dhe iu gjetën 15,000 £ në pako kartëmonedha prej 20 £.
“Në intervistën e tij në polici ai u tha oficerëve se paratë ishin për të paguar njerëzit që e kishin ndihmuar të mbërrinte në MB. Ai tha se ishte sjellë në vend me një kamion nga Spanja ku kishte qenë për rreth katër vjet. I pandehuri refuzoi të thoshte se kujt ia kishte borxh paratë”, tha ai.
Gjoni u tha atyre se donte të ribashkohej me gruan dhe fëmijët e tij që janë në MB dhe po aplikojnë për azil. Ai tha se 15,000 £ kishin ardhur nga dy miq që i kishin dhënë paratë hua. I pandehuri, pa vendbanim fiks, Abertillery, u deklarua fajtor për hyrjen e vetëdijshme dhe pa leje më 27 nëntor të vitit të kaluar. Ai gjithashtu është përballur me akuzën për posedim të pasurisë kriminale, por kjo u hodh poshtë nga gjykata.
Sol Hartley avokati i Gjonit tha: “Nëse ai do të dëbohej përpara se të paguhej borxhi, ai do të përballej me pasoja në Shqipëri. “Ai ka pasur një jetë të vështirë. Ai punoi si punëtor në Greqi dhe luftoi për të siguruar bukën e gojës.” Hartley shtoi se klienti i tij tashmë ishte mbajtur në paraburgim për katër muaj dhe nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm. Gjykatësi Paul Hopkins KC i tha Gjonit: “Kjo është vërtet një çështje serioze që e kalon lehtësisht pragun e paraburgimit. I pandehuri u burgos për gjashtë muaj. Home Office do të vendosë nëse Gjoni do të dëbohet apo jo pas vuajtjes së dënimit.