Një ditë pas plagosjes me armë zjarri të një 36-vjeçari në Shijak, policia ka zbardhur ngjarjen, duke arrestuar pronarin një pike këmbimi valutor si dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Në pranga përfundoi Albano Domi, të cilit iu sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, të cilën dyshohet se e ka përdorur gjatë sherrit. Policia sqaroi dy personat e kërkuar kanë qëlluar në drejtim të Domit, por ndërkohë mbeti i plagosur një person tjetër i pranishëm në dyqan.
Njoftimi:
Vihet në pranga pronari i dyqanit për pjesë këmbimi, ku ndodhi ngjarja. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se e ka përdorur pronari i dyqanit, gjatë konfliktit. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve që plagosën me armë 36-vjeçarin, i cili ndodhej në dyqan, gjatë konfliktit.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në një dyqan për pjesë këmbimi, në Shijak, arrestuan shtetasin A. D., 27 vjeç, banues në Xhafzotaj (pronari i dyqanit ku ndodhi ngjarja).
Po në vijim të veprimeve hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. H., 30 vjeç dhe Xh. P., 33 vjeç, të dy banues në Durrës. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit A. H. dhe Xh. P. janë konfliktuar fizikisht me shtetasin A. D., dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi E. D., i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.
Po nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit, shtetasi A. D. iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë, shtetasve A. H. dhe Xh. P.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. D. (pronari i dyqanit).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për shtetasin A. D., për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe për shtetasit A. H. dhe Xh. P., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”.