E ashtquajtura Superliga Europiane do t’i duhet të ndryshojë emrin, por kjo nuk e pengon ecurinë e saj. Më 13 mars, drejtësia europiane konfirmoi se kompeticioni elitar nuk mund të quhet Superliga, pas protestave të “3F Superliga”, kampionatit më të mirë danez, i cili mori regjistrimin e emrit si markë nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, siç thamë, “A22 Sports Management” po vazhdon projektin e vet. Në veçanti, sipas asaj që raportohet nga portali spanjoll “Palco 23”, i specializuar për lajmet në lidhje me ekonominë sportive, kompania do të kishte kërkuar regjistrimin në Spanjë të markave tregtare të divizioneve që duhet të përbëjnë garën: Star League, Gold League dhe Blu League.
Lajmi do të konfirmohet nga Buletini Zyrtar i Pronësisë Industriale i Ministrisë Spanjolle të Industrisë, Tregtisë dhe Turizmit. Ekzistenca e tri divizioneve do të konfirmonte se projekti i ri, i përforcuar pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (CJEU), duhet të shpërndajë 64 klubet pjesëmarrëse në tri liga.
E para, e quajtur Star League, dhe e dyta, Gold League, duhet të përfshijë nga 16 ekipe, ndërsa e treta, Blu League, pritet të ketë 32 ekipe. Projekti, siç u sigurua nga promovuesit e tij, nuk do të bazohet në një model të mbyllur, nuk do të ketë anëtarë të përhershëm, por do të krijojë sistem ngjitjesh dhe zbritjesh midis tri divizioneve.
()