Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve, pasi nesër i pret një test force me Egnatian. Një përballje që ndan shumë gjëra sa i përket objektivave të bluve, ku vetëm fitorja i afron edhe më shumë me skuadrat që luajnë për mbijetesë. Për këtë arsye, në kampin verilindor, përgjatë gjithë këtyre ditëve, janë munduar të analizojnë në detaje kundërshtarin dhe ta godasin në pikat e dobëta.
Edhe pse ndodhen në skaje të kundërta, me paraqitjet që kanë bërë skuadrat respektive në javët e fundit duket sikur edhe këto diferenca mund të zërohen. Fitorja ndaj shkodranëve pak ditë më parë ka rritur edhe vetëbesimin në ekipin e drejtuar nga Bledar Devolli, pasi mundën skuadrën më në formë të kampionatit shqiptar. Gjithsesi, me rrogozhinasit është histori tjetër, diçka që në Kukës e kanë të qartë.
FITUESI NUK NDRYSHON – Duket se edhe në këtë ndeshje Devolli do të vazhdojë të mbajë skuadrën të pandryshuar sa i përket titullarëve që do të hedhë në fushën e lojës. Të paktën kjo është lënë të kuptohet në seancat stërvitore të këtyre ditëve përgatitjesh. Duket se më në fund janë gjetur ekuilibrat që blutë kërkonin prej kohësh, me një skuadër që po funksion dhe kryen ashtu si duhet detyrat në të gjitha repartet e saj.
Para Tafasit në portë, me shumë gjasa Devolli do të hedhë në fushë një skuadër me shumë muskuj në prapavijë. Zhongo dhe Lala në qendër, ndërsa Duka me Lamçen priten nga krahët. Para mbrojtjes është në avantazh për të luajtur Mingos me Zenunajn, edhe pse mbetet për t’u parë deri ditën e ndeshjes. Ajo që nuk ka shumë dyshime është faza ofensive, aty ku Hasaj, Salami dhe Beshiraj, do të jenë në ndihmë të Solodovnikov si sulmuesi i vetëm i deklaruar.
Me këtë formacion Devolli mposhti edhe shkodranët që deri atë ndeshje dukeshin të pathyeshëm. Megjithatë, deri nesër në Kukës shpresojnë që të kenë edhe ndonjë lojtar të rikuperuar, pasi kundër Vllaznisë lista e tyre ka qenë e gjatë. Të paktën synohet që të kenë një pankinë sa më të plotë, në mënyrë që trajneri të ketë mundësi t’i përdorë kur t’i duhen.