Kaq shumë uniforma detarie dhe përqafime të përmalluara mes veteranëve që kanë shërbyer në Bazën Ushtarake Detare, Saranda nuk kishte parë prej kohësh. Kuadro të sotme të disa rangjeve në Flotën Detare Shqiptare dhe një brez i tërë që ka shërbyer dekadat e shkuara në
Bazën Detare të Sarandës, të shoqëruar nga simpatia e qytetarëve, u mblodhën në shetitoren buzë detit, në ceremonitë e programuara me rastin e 50-vjetorit të krijimit të Bazës Ushtarake Detare në qytetin jugor. Mirëseardhjen në festimet e organizuara me këtë rast, ua dha të pranishmëve Behar Xhani, kryetar i Shoqatës së Detarëve, dega e Sarandës.
Ata i përshëndeti edhe kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi.
Epiqendra e festimeve u bë segmenti i shetitores, ku ngrihet superspiranca 200-vjeçare, e kthyer tashmë në simbol dhe atraksion në qytetin e turizmit.
Shumë pranë kësaj spirance, në ditën e 50-vjetorit të Bazës Ushtarake Detare, ndërkohë që anijet u ranë sirenave, u zbulua edhe pllaka me mbishkrimin “Marinari”. Bashkia e Sarandës vendosi që ky vend të qyhet “Sheshi i Detarëve”. Kjo vendimmarrje e pushtetit lokal, ishte në përkujtim dhe në nderim të të gjithë efektivave që kanë shërbyer me devocion e integritet në BUD Sarandë.
Në prani të Komandantit të Forcës Detare dhe Rojës Bregdetare, Kundëradmiral Adnand Agastra, si dhe të autoroteteve të pushtetit vendor e të antarëve të Shoqatës “Detaria Shqiptare” dhe qytetarëve, u nderuan me Çertifikata Mirënjohjeje, mjaft ish-Ushtarakë, që kanë sakrifikuar shumë, duke shërbyer në Marinën e Sarandës.
Bukuri, mesazh vijimësie dhe emocion të veçantë i dhanë veprimtarive detarët e rinj të së ardhmes, të shkollës 9-vjeçare ”9 Tetori”, me programin e dedikuar dhe veshje speciale, në nderim të detarëve të qytetit të Sarandës.
Veprimtaritë dedikuar këtij jubileu, u zhvendosën në vijim, në mjediset e Galerisë “Art-Saranda”, ku u vizitua fillimisht ekspozita fotografike me pamje nga stërvitja dhe jeta ushtarake e efektivave të Bazës Detare, si në tokë edhe në det.
Shumë emocion krijoi ndjekja e dokumentarit “Në detin e kujtimeve”, realizuar me profesionalizëm dhe me dashuri nga gazetarja Brikena Metaj Xhani, e cila është rritur me këto ndjesi, si bija e një prej kuadrove të Marinës së Sarandës. Përmes dokumentarit u risollën në kujtesë efektivët me uniformë marinari, që kanë shërbyer ndër vite në shërbim të FLotës Detare dhe kontribuan si vlerë qytetarie.
Festimet për 50-vjetorin e BUD Sarandë dhuruan një ditë të veçantë. Ato u përmbyllën me shprehjen e mirënjohjes qytetare për historinë gjysmëshekullore dhe me vlerësime për traditën detare të këtij qyteti.
(Arena e Lajmit)