“Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiç mund të aktivizohen në sulme agresive”! Është kjo deklarata e fortë që ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla bëri në një intervistë ekskluzive për gazetaren Nisida Tufa në News24, ku tha se po përgatiten për të parandaluar çdo lloj skenari serb, por edhe për t’u ballafaquar.
Në intervistën ekskluzive për News24, ministri Sveçla e cilësoi të drejtë dhe normal vendimin për dinarin, teksa tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. I pyetur nga gazetarja Nisida Tufa për marrëdhëniet mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut shqiptar, Edi Rama, ministri Xhelal Sveçla nuk përjashtoi dallimet mes tyre, por tha se mes të dyve ka vullnet për bashkëpunim.
Gjatë intervistës për NeWs24, ministri i Brendshëm i Kosovës foli dhe për raportet e Albin Kurtit me ndërkombëtarët, ku tha se nuk ka asnjë krisje mes tyre, madje ata kanë takime të përjavshme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Ministri e mbylli intervistën me një mesazh pozitiv për shqiptarët, teksa tha se kosovarët mund të shkojnë kudo në botë, por nuk gjejnë mikpritje si në Shqipëri.