Gazetari Ferdinand Dervishi, në një intervistë në Çështja e ditës nga gazetari Kevin Muka në News24, ka komentuar ndërhyrjet në sistemin TIMS.
Dervishi thekson se SPAK po përfundon ekspertizën. Sipas tij, Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë në dy pista. Për të, pistë e parë është ndërhyrja në sistemin TIMS, ndërsa pistë e dytë është ajo e emërimeve “të çmendura” në poste kyçe në Policinë e Shtetit.
“Unë besoj se Prokuroria duhet të zbulojë se çfarë ka ndodhur ditën e 2 gushtit 2023 dhe ka vazhduar deri në orën 10 të ditës tjetër. Ne nuk dimë përse është bërë ndërhyrja. Ne nuk dimë nëse është futur a është hequr material nga aty etj. Besoj se këto do i thotë ekspertiza nga laboratori i SPAK, e kërkuar nga Prokuroria e Tiranës. SPAK po përfundon ekspertizën. Kjo ekspertizë do përcaktojë se çfarë do të ndodhë me hetimin në vijim.
Ekspertiza e SPAK do thotë si është ndërhyrë, pse është ndërhyrë, çfarë ligjesh janë thyer. Besoj se Prokuroria e Tiranës do veprojë menjëherë pasi të ketë përfundimet. Ervin Muça “është marrë nga rruga dhe është katapultuar drejtor i Departamentit të IT”. Me ardhjen e tij, është krijuar ky departament. Muça vjen nga një eksperiencë që nuk ka lidhje me policinë. Emërimi i Ervin Muçës është bërë në kundërshtim me ligjin. Është emëruar direkt në atë post, pa ndonjë background, ashtu siç e përcakton ligji i Policisë së Shtetit. Kemi dy momente të paligjshme, ndërhyrja në TIMS, por duhen hetime edhe për faktin se kush i gradoi këta njerëz në këto poste. Ndërhyrja në TIMS mund të jetë bërë për shantazh për shembull është një nga pistat. Mund të jetë bërë që informacionin e TIMS ta shesë në tregun e zi. Dyshohet se është marrë edhe për atë se çfarë ka aty për ministra, për persona të veçantë. Për emërimet e çmendura përgjegjës janë ish-ministri Çuçi, Muhamet Rrumbullaku dhe Taulant Balla. Unë besoj se këta persona janë përgjegjës për emërimet që kanë bërë. Kemi njerëz të emëruar në polici, që nuk kanë as certifikata sigurie dhe kjo është vepër penale”, deklaroi Dervishi.
(Arena e Lajmit)