Kombëtarja e vajzave A ka zhvilluar paraditen e sotme seancën e radhës stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në prag të ndeshjes së parë kualifikuese në transfertë ndaj Luksemburgut. Grupi është stërvitur i plotë nën urdhrat e trajnerit Armir Grima dhe të gjitha vajzat gëzojnë formë të mirë.
Për herë të parë pas transferimit të bujshëm te Galatasaray, me ekipin është bashkuar edhe Megi Doçi. Sulmuesja e Kombëtares në një prononcim për fshf.org tregon se ftesa për të përfaqësuar Shqipërinë pritet gjithmonë me emocion dhe gëzim.
“Realisht po e prisja me shumë emocion, duke pasur parasysh që kam tre muaj që jam larguar nga Shqipëria. Është bukur të rikthehesh në Shqipëri, patjetër edhe në ekipin Kombëtar. Rikthimi në ekipin Kombëtar është emocion shumë i madh, ndaj e presim me shumë dëshirë ftesën për të dhënë maksimumin. Mendoj se ne vajzat po përgatitemi mirë, duhet parë edhe gjendja e vajzave, kemi edhe vajza të reja që duhen parë për të ardhmen. Kemi dy ndeshje të rëndësishme, kështu që me motivim dhe duke i dhënë rëndësinë e duhur secilës ndeshje besoj se do ia dalim”, – tha fillimisht Megi Doçi.
Më tej, sulmuesja e Kombëtares A tha se vajzat do të japin maksimumin për të marrë fillimisht fitoren ndaj Luksemburgut e më pas për të arritur triumfin në “Air Albania ndaj Estonisë.
“Mund të them që ne do japim maksimumin, sepse janë ekipe me të cilat ne e kemi treguar që dimë të luajmë, por edhe me ekipe të mëdha e kemi treguar që dimë të luajmë futboll. Ekipi do të shkojë për fitore, për të marrë tri pikët, për të dalë të parët në grup, kështu që besoj se me lojë të mirë do t’ia dalim. Patjetër që ekziston mundësia për kualifikim, pasi me pjesën më të madhe të grupit luajmë prej vitesh bashkë, ia njohim lojën njëra-tjetrës. Besoj se duke bërë ndeshje të mira, duke nisur nga një fitore me Luksemburgun dhe duke i marrë ndeshjet me radhë njëra pas tjetrës. Synimi është fitorja në të dyja ndeshjet. Në rast kualifikimi në fazën play-off kemi ndeshje shumë të forta, të shohim, pasi në futboll pritet gjithçka”, – përfundoi Megi Doçi.
Një prononcim për fshf.org dha edhe mesfushorja e Kombëtares së vajzave, Arbiona Bajraktari, e cila tregoi se si po shkojnë përgatitjet dhe shton se synimi kryesor është për t’u rikthyer në Ligën B.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, grupi është shumë i mirë, me lojtare të reja dhe ato që janë prej vitesh pjesë e Kombëtares. Jemi grup shumë i mirë dhe synojmë të bëjmë më të mirën në këtë grumbullim. Normalisht që të gjitha ekipet synojnë që të marrin fitore, por ne jemi të përgatitur maksimalisht që të kapim kreun e grupit, këtë e bëjmë vetëm duke e dëshmuar në fushë dhe duke marrë pikët. Unë e shoh mundësi shumë të mirë për të kaluar në grupin B. Realisht Kombëtarja jonë nuk është për grupin C dhe këtë duhet ta tregojmë në fushë. Shpresoj të kalojmë në grupin B”, tha Arbiona Bajraktari.
Shqipëria e nis rrugëtimin e ri në kualifikueset e Kampionatit Europian “Zvicër 2025” në transfertë ndaj Luksemburgut, me ndeshjen që do të luhet më 5 prill në stadiumin “Émile Mayrisch” në ora 19:30. Katër ditë më vonë, vajzat do të presin në stadiumin “Air Albania” rivalet e Estonisë.