“Qendra e re e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes shënoi me hapjen e saj një epokë të re të zhvillimit teknologjik dhe modernizimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë, teksa ka marrë pjesë në inaugurimin e qendrës së re të inovacionit të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.
“Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”, u shpreh Rama.
Po këtë të mërkurë, Rusia ka reaguar me anë të zëdhënëses të Ministrisë së Jashtme të saj, Maria Zakharova, e cila ka akuzuar NATO-n dhe BE-në se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme ndaj Rusisë.
Zakharova deklaroi se një qendër e tillë po hapet edhe në Shqipëri, duke pretenduar se misioni i qendrës do të jetë që të ndihmojë në “krijimin e një imazhi negativ për Rusinë”.
Po ashtu, Zakharova paralajmëron se në këtë formë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibdride në Ballkan, duke shtuar se “rajoni ka tepër probleme politike”.
Zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse pretendon se një qendër e ngjashme është krijuar në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, për të cilën, ushtarakët rusë thonë se vepron në sferat ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike, informative, mjekësore dhe të tjera për të dëmtuar imazhin pozitiv të Rusisë. Zakharova ka akuzuar NATO-n për manovra të rrezikshme lufte.
“Aktualisht, në marrëdhëniet me Rusinë, blloku është kthyer në mendësinë e Luftës së Ftohtë. Në dokumentet e doktrinës së tij, vendi është shpallur, po e citoj ‘kërcënimi më i madh i drejtpërdrejtë’. Ka një grumbullim aktiv të ushtrisë në kahun lindor. Stërvitje ushtarake janë të një shkalle të paprecedentë. Po përgatiten për luftë kundër Rusisë dhe as që e fshehin”, deklaroi ajo.
Zëdhënësja e Moskës gjithashtu ka thënë se NATO nuk ka vend në botën e re multipolare dhe se është “në optikën e Rusisë”.
(Arena e Lajmit)