Policia e Shtetit ka vijuar operacionet kombëtare “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli 2”, në të gjithë territorin e vendit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehet se gjatë 24 orëve të fundit policia ka ndaluar 33 shtetas të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale, kryesisht prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje, vjedhje, kontrabandë mallrash e tjerë. “Është ndërhyrë në kohë për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve në disa raste, fenomen i cili kërkon më shumë angazhim në të gjithë territorin”, shprehet Balla.
Balla falënderoi homologët italianë, që arritën të kapin një person, të dënuar me burg përjetë nga gjykatat shqiptare.
“Gjithashtu falë bashkëpunimit të Departamentit të Policisë Kriminale me Policinë italiane u bë i mundur gjetja dhe ndalimi i një personi shumë të kërkuar, i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare”, u shpreh ministri Balla.
(Arena e Lajmit)