Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i është drejtuar Kuvendit me një letër, ku parashtron disa kërkesa për disa kategori votuesish, që nuk e kanë të mundur për arsye objektive, të dalin nga shtëpia.
“U kemi dërguar një letër partive politike në dijeni të kryetares së Kuvendit, për kategorinë e votuesve, që nuk e kanë të mundur për arsye objektive, të dalin nga shtëpia. Janë rreth 20 mijë votues. Partitë politike dhe Kuvendi, në kuadër të reformës të pritshme zgjedhore duhet të gjejnë mënyrën që kjo kategori votuesish ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Shqipëria, si një vend kandidat për t’iu bashkuar BE, nuk mund t’ia lejojë vetes që për çfarëdolloj arsye ta lërë pa votuar këtë kategori. Në vlerësimin tim kjo mbetet prioritare, dhe pse jemi të vetëdijshëm që për pjesën më të madhe të politikë ka prioritete të tjera”, tha ai.
Celibashi u ndal dhe te aksesi në qendra të votimit, nga personat me aftësi të kufizuara, ku tha se ky mbetet një problem, por shtoi se po punojnë me koordinatorët e bashkive për të përmirësuar qasjen e tyre.“Aksesi i personave me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit është një problem që do të mbetet problem, nuk kemi pse bëjmë hipokritin, por të bëjmë aq sa kemi mundësi për të përmirësuar qoftë edhe 1% aksesin e tyre. Kemi bashkëpunim të mirë me koordinatorët e bashkive për këtë çështje dhe KQZ po ndërton një bazë të dhënash në lidhje me gjendjen fizike të të gjitha qendrave të votimit dhe aty ku është e mundur për të krijuar aksesin për këtë kategori votuesish do ta mundësojmë”, shto ai.