Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka deklaruar se për Reformën Zgjedhore duhet të bashkëpunohet mes opozitës dhe mazhorancës, njëlloj siç u bë me “Amnistinë Penale” që u miratuar ditën e djeshme në Kuvend.
Ai shtoi se detyra e tij është t’u bjerë kambanave të alarmit në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2025. Ai shtoi se në rast se PD nuk reflekton, nuk parashikon rezultate pozitive për vitin 2025.
Deputeti Sula tha se nuk është dakord me mënyrën se si po funksionon PD, duke shprehur pakënaqësinë me mos marrjen pjesë në mbledhjen e deputetëve.
“Është për t’u vlerësuar nisma për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndryshime të vonuara. Produkti që ka prodhuar komisioni ka materiale të rëndësishme. Punët e mira bëhen ngadalë. Brenda tre javëve ka përfunduar Reforma Ligjore, ndaj kemi një reformë që ka probleme. Ne jemi në limitet e kohës por nuk ka përfunduar koha.
Kemi disa probleme thelbësore ku ODIHR nuk ndërhyn dot, siç është sistemi zgjedhor.
Ashtu siç u bashkëpunua dje për Amnistinë Penale, mund të bashkëpunohet edhe në këtë pjesë.
Zyrtarët e nivelit të lartë nuk përfitojnë nga Amnistia Penale. Nëse nuk do të bëhej kjo, nuk do të isha dakord me Amnistinë.
SPAK-un nuk e demoralizojmë, madje duhet ta inkurajojmë, duhet t’i dalim krah. Punën e SPAK e vlerësoj me 8/10.
Mendoni që po të mos ishte SPAK opozita nuk do të kishte argument për të folur, sepse anëtarë të mazhorancës nuk do të ishin në burg. Fjalët tona do të mbeteshin retorikë.
Në mbledhjen e fundit të grupit të deputetëve të Rithemelimit, nuk kam qenë i pranishëm, madje edhe në disa mbledhje më parë, kam rezervat e mia. Kjo në lidhje me mënyrën si po funksionon PD në tërësi. Nuk është në nivelin ku kërkohet. Qëllimi im është t’i bie kambanave të alarmit për 2025. Nuk jam profet por duhet që opozita të reflektojë në të gjitha drejtimet, nëse nuk e bën është kot”, tha ai.