Këtë të enjte do të kalojë për votim në Kuvend projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar pritet të ketë në fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.
Komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij:
– Të nxitë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një sërë formash, duke përfshirë fushat e dezinformimit nëpërmjet medieve tradicionale dhe atyre sociale për formëzimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publikë dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile;
– Të kryejë një analizë të plotë të të gjithë faktorëve dhe fenomeneve për të vlerësuar nëse janë respektuar detyrimet ligjore në fuqi në lidhje me transparencën në proceset demokratike, veçanërisht transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to;
– Të identifikojë masat administrative dhe ndërhyrjet e mundshme nëpërmjet ndryshimit apo plotësimit të legjislacionit në fuqi për të adresuar zgjidhjen e problematikave të identifikuara, veçanërisht në drejtim të rritjes së përgjegjshmërisë së platformave dhe medieve sociale për të klasifikuar përmbajtjen e lajmeve/informacioneve që shpërndahen nga robotët, duke rishikuar algoritmet, me qëllim bërjen transparente të faktorëve ku bazohen për të shfaqur, për t’i dhënë përparësi, shpërndarë, apo hequr përmbajtjen e lajmit/informacionit, si dhe pa cenuar lirinë e shprehjes, për të mbyllur llogaritë e personave/subjekteve që përfshihen në sjellje të koordinuara joautentike në internet ose aktivitete të paligjshme, që synojnë minimin sistematik të proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes.
III. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare. Anëtarët e Komisionit përcaktohen me vendim Kuvendi.
- Komisioni e ushtron veprimtarinë për një afat 1-vjeçar nga data e miratimit të këtij vendimi. Kuvendi mund të vendosë të zgjatë afatin e ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit.
- Nisur nga natyra e veçantë e çështjeve që ka për objekt veprimtarie, pranë Komisionit të Posaçëm do të ketë një grup ekspertësh si përfaqësues të institucionit të Presidentit të Republikës, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimit Informativ Kombëtar, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Autoritetit të Medias Audio-Vizive, si dhe institucioneve të tjera që Komisioni do të vlerësojë se mund të kontribuojnë me ekspertizë në veprimtarinë e tij. Komisioni mund të kërkojë edhe ekspertizë nga BE-ja, NATO-ja, SHBA-ja, si dhe të angazhojë ekspertë vendas dhe/ose të BE-së , NATO-s dhe ekspertë të nga SHBA , të punojnë bashkë me grupin e ekspertëve vendas sipas kërkesave të Komisionit dhe caktimit të detyrave përkatëse.
- Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për krijimin e kushteve të punës, si dhe për mbështetjen me burime njerëzore, financiare dhe logjistike të veprimtarisë së Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.
VII. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E T A RE: Lindita NIKOLLA
(Arena e Lajmit)