Ndërhyrja në Sistemin TIMS, në “Shënjestër” zbardh emailin e zyrtarit që denoncoi Ervin Muçën: Po denoncojmë një skandal që…

Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjes në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Pjesë nga dokumentari:

Ndërhyrja në sistemin TIMS mund të jetë një nga skandalet më të mëdha ende të pahetuara plotësisht, të ndodhura në zemër të administratës shqiptare, ku një drejtues vetëm një muaj pas emërimit të tij në krye të një agjencie të rëndësishme publike brenda Policisë së Shtetit, jo vetëm shkel rëndë detyrën e dhënë, duke u futur në zyrën e tij si të ishte një grabitës, por edhe merr nga aty të dhëna sensitive që kanë të bëjnë me bazën e sistemit TIMS.

Në vend që të ishte aty për t’i mbrojtur këto informacione, nga persona që do të ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për t’i pasur në duar. Ky duket se është rasti i Ervin Muçës, këshilltar i jashtëm i Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërsa më 27 qershor 2023 u emërua si drejtues i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, në orët e vona të mbrëmjes së datës 2 gusht të po këtij viti, hyri në ambientet e institucionit që po vetë drejtonte, me kartën e një punonjëse dhe në bashkëpunim me persona të paautorizuar të ardhur nga jashtë, dhe tentoi të kopjonte të dhënat e sistemit TIMS.

Aty ruhen informacione të klasifikuara që kanë të bëjnë me persona që janë në hetim, apo që mbahen në vëzhgim policor. Por cili është qëllimi i kopjimit të të dhënave të sistemit TIMS? Po çfarë urgjence e dërgoi atë mesnatë drejtorin Ervin Muça të futej si një klandestin në në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit?

Dhe kush ishin personat që e shoqëronin atë mbrëmje? Përse ai përdori kartën e një punonjëse për të hyrë në institucion, dhe jo të tijën? Si erdhi fillimisht denoncimi ulëritës që vinte nga ky email dhe kujt i drejtohej? Dhe çfarë informacionesh mundën ata të marrin nga baza e të dhënave dhe nëse po, ku përfunduan këto të dhëna dhe kujt i shërbyen?

Sipas dokumenteve të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’ i gjithë skandali nisi të dalë në dritë pas një emaili që specialistë të IT-së në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit, i kishin dërguar më datë 3 gusht 2023, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Ky email, vinte në dijeni këtë Agjenci se në Policinë e Shtetit kishte shpërthyer një skandal i përmasave të jashtëzakonshme.

Sipas këtij emaili, drejtori i ri i departamentit të IT-së, në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, kishte urdhëruar vartësit e tij, pra specialistët, që të eksportonin menjëherë në një hard disk të jashtëm të dhëna të sistemit TIMS, ku përfshiheshin edhe aksione të ndërmarra nga policia apo edhe dosje hetimore.

“Ne që po ju shkruajmë, po denoncojmë një skandal që ka lidhje me një vjedhje që po ndodh në zyrat e Policisë së Shtetit. Sot më datë 2 Gusht 2023, Drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, i sapoemëruari (disa ditë para se të vijë ministër Taulant Balla) Ervin Muça, urdhëroi verbalisht gjithë punonjësit e databazës dhe serverave të kryejnë exportim të menjëhershëm të të gjithë bazës së të dhënave të sistemit TIMS në një Hard Disk të jashtëm, te një USB e madhe që mbahej në xhep nga ky person”, thuhej në email.

Po përse i duheshin drejtorit të sapoemëruar të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit të dhëna të tilla, për të cilat paguhen nga buxheti i shtetit miliona euro, për sigurinë e tij. Dhe si u emërua Ervin Muça, në krye të këtij të departamenti, dhe si iu dha grada brenda së njëjtës ditë kur mori detyrën e rëndësishme? A mund t’i besohen Ervin Muçës të dhëna kaq sensitive sa kohë që nuk ka certifikatë sigurie?

Sipas Prokurorisë, menjëherë pasi u vu në dijeni për skandalin që kishte ndodhur brenda Policisë së Shtetit, organi i akuzës nisi verifikimin e rastit. Rast që ishte edhe më i rëndë se kaq, pasi ata që ishin vartësit e drejtorit Ervin Muça, kishin kundërshtuar fort urdhrin e tij për eksportimin e të dhënave. Midis tyre edhe Ardit Muço, shef i sektorit.

Por që duke parë se shefi i sektorit, nuk kishte ndërmend të shkelte ligjin dhe kësisoj të eksportonte të dhënat, del se drejtori Ervin Muça, e kishte kryer këtë proces me ndihmën e disa ekspertëve të jashtëm, që në fakt disa rezultonin se punonin në kompani private. Dhe ashtu si titullari i Departamentit të Teknologjisë, nuk kishin certifikatë sigurie për të kryer eksportimin e të dhënave jashtë serverit të Policisë së Shtetit.

“Sipas emailit të mbërritur në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, menjëherë sapo ishin urdhëruar nga drejtori Ervin Muça, për eksportimin e të dhënave jashtë serverit të Policisë së Shtetit, specialistët e IT në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, kanë informuar në lidhje me këtë veprim shefin e sektorit, Ardit Muço. Ku e vinin në dijeni këtë të fundit, se drejtori Ervin Muça, me qëllim për të mundësuar këtë transport të të dhënave, nga Policia e Shtetit në në një Hard Disk të ndryshëm, jashtë këtij institucioni, kishte kërkuar ndihmën e disa personave, njohje e tij, që ishin të punësuar në kompani të ndryshme private. Ku sipas tyre, kjo nuk ishte hera e parë që drejtori Ervin Muça e kryente këtë veprim. Pasi një gjë të tillë e kishte bërë edhe gjatë kohës kur punonte në Drejtorinë e Tatimeve”, thuhet në email.

Arena e Lajmit

Ndërhyrja në Sistemin TIMS, në “Shënjestër” zbardh emailin e zyrtarit që denoncoi Ervin Muçën: Po denoncojmë një skandal që…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook