Presidenti Bajram Begaj zgjodhi që urimin e tij për besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit ta përcillte nga xhamia e Ballies në qendër të qytetit të Elbasanit.
I shoqëruar nga përfaqësues të Komunitetit Mysliman në Elbasan dhe kryebashkiaku Gledian Llatja, Begaj vizitoi Xhaminë e Ballies një ndër objektet më të lashta të qytetit.
Xhamia u ndërtua nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit. Në këtë vizitë të parit të shtetit iu dhurua nga imami i xhamisë një Kuran qabeje qe i dhurohen personaliteteve botërore. Në fjalën e rastit për median, Presidenti vlerësoi bashkëjetesën fetare në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë duke përcjellë mesazhin e tij se kjo vlerë duhet ruajtur, promovuar dhe trashëguar.
“Jam këtu për të uruar të gjithë besimtarët mysliman, gëzuar festën e Fiter Bajramit. Pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit besimtarët u përkushtuan e besoj se me lutjet tyre, ata janë më afër Zotit dhe lutjet e tyre të pranuara besoj që do të jenë qytetar të denjë jo vetëm për veten e tyre, por edhe për shoqërinë. Jam këtu në këtë xhami të mrekullueshme të qytetit të Elbasanit, e rindërtuar në të njëjtin vend ku në vitin 1608 Hasan Balliu e ndërtoi për herë të parë dhe në vitin 1967 u shkatërrua dhe falë Zotit u rindërtua përsëri në të njëjtin vend.
Jam në Elbasan ku është një traditë e shkëlqyer, ku përveç objekteve të kulteve të ndërtuara, besimtarët jetojnë në harmoni si në të gjithë Shqipërinë. Është një vlerë e madhe njerëzore, vlerë të cilën duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta trashëgojmë. Unë uroj çdo të mirë dhe begati për çdo shqiptar, për çdo besimtar. Gëzuar dhe njëherë Fiter Bajramin”, tha midis të tjerash Begaj.