Diego Simeone, trajneri i Atletico Madrid, ndjen keqardhje për mënyrën se si shkoi ky takim, në një kohë kur ekipi i tij kishte shanse të mbyllte llogaritë që në sfidën e parë:
“Besoj se deri në minutën e 70-të zhvilluam një ndeshje të mirë. Kishim një rast të pastër me Lino-n për të shënuar golin e tretë, por portieri i tyre bëri një pritje të shkëlqyer. Sigurisht, edhe Brandt me kokë kishte shansin të barazonte rezultatin, por siç ndodh shpesh në ndeshje të tillë, e rëndësishme ishte të fitonim. Ky rezultat na detyron që ndeshjen e kthimit të luajmë më kujdes”, theksoi trajneri i Atletico Madrid.
Edin Terzic, trajneri i B.Dortmund, u shpreh i bindur se ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit: “Ndeshja është e hapur. Imagjinoja një fillim takimi shumë më ndryshe, por paguam shtrenjtë mungesën e eksperiencës, kishim shumë lojtarë që luanin për herë të parë një ndeshje në fazën çerekfinale. Në 30 minutat e para nuk u treguam të zotë, i dhamë mundësinë atyre të shkonin lehtë në zonën tonë. E rëndësishme është që reaguam, në pjesën e dytë zhvilluam një ndeshje të mirë, u treguam të zotë në shumë aspekte”, theksoi trajneri i B.Dortmund.
()