Dhuna u ul “këmbëkryq” sërish në futbollin shqiptar, teksa sot në kampionatin U-21, në ndeshjen mes Erzenit dhe Partizanit, në stadiumin “Tofik Jashari” pati përleshje fizike mes lojtarëve të të dy skuadrave. Policia e Shtetit, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë me dije se janë dëmtuar 2 futbollistë të ekipit të kuq, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi:
Shijak
Rreth orës 14:00, në fushën sportive “Tofik Jashari”, është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet ekipeve të kategorisë U-21, Erzeni-Partizani.
Organizatorët e ndeshjes nuk kanë njoftuar Policinë për këtë aktivitet.
Në përfundim të ndeshjes, janë konfliktuar fizikisht lojtarët e 2 ekipeve. Si pasojë, janë dëmtuar 2 lojtarë të ekipit Partizani, të cilët janë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
(J.S/)