Nuk shiheshin si favorit, aq më tepër pas humbjes 2-1 në sfidën e parë, por Dortmund vuri në jetë një mrekulli të vërtetë duke mposhtur Atletico Madrid 4-2 në ndeshjen e kthimit, një kualifikim fantastik që solli festë te verdhëzinjtë, e shijoi pafund dhe trajneri Edin Terzic:
“Jam jashtëzakonisht i lumtur, mbi të gjitha shumë krenar. Atmosfera këtu ishte e pabesueshme. Kishte dy momente gjatë ndeshjes kur ishim të eliminuar, por u treguam të fortë duke besuar deri në fund. Jam shumë krenar kur e them me bindje se e merituam kualifikimin përballë Atletico Madrid”, u shpreh Terzic duke u ndalur më pas te sfida me PSG në gjysmëfinale:
“Tani do të përballemi me PSG. Ndeshja jonë e parë kundër tyre, në grup, nuk shkoi mirë. Unë mendoj se tani ne jemi një skuadër më e mirë se sa kur u përballem me PSG në grupe”, u shpreh ndër të tjera trajneri i B.Dortmund.
Nuk e priti mirë këtë humbje trajneri Diego Simeone: “Futbolli i tillë është, nëse i marrim të dyja sfidat ata bënë diçka më shumë se sa ne. Në ndeshjen e parë duhet të kishim bërë ndonjë gol më shumë, ndërsa ndeshjen e dytë nuk e nisëm mirë. Borusja na ndëshkoi thuajse në çdo rast që krijoi, ne nuk e bëmë diçka të tillë. Kjo ishte diferenca e vetme, por më duhet të them se Dortmund e meritoi kualifikimin. Jemi kualifikuar për në Botërorin e Klube? Nuk më intereson fare. Ky është një përfundim i mirë për klubin, jo për mua. Unë nuk jam i lumtur pas kësaj mbrëmje”, theksoi ndër të tjera Diego Simeone.
()