Gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të PD, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ka patur diskutime mes ligjvënësve opozitarë edhe për veprimtarinë e tyre në Parlament.
Raportohet se kreu i grupit, Bardhi ka zbuluar se opozita do të këmbëngulë për për mocionin me debat nesër për drogën dhe Xibrakën, si edhe do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese përsëri mandatin e Olta Xhaçkës.
Po ashtu ai ka orientuar deputetët se do të diskutojnë tek të gjitha gjitha pikat e rendit të ditës për të cilat do votojnë kundër, përveç marrëveshjes me BE.
Sa i përket një shqetësimi të deputetëtve për lënien jashtë grupit të Sali Berishës nga një vendim i Kuvendit, ai u shpreh se anëtarësimi në grup sipas rregullores është me vetë deklarim.
Bardhi shtoi se demokratët nuk duhet të bien në kurthin që të kthehen përsëri tek përqendrimi i debatit publik për grupin, ndërsa nënvizoi se kryetar i partisë është Sali Berisha.
Nga ana tjetër deputeti Tritan Shehu ka kërkuar që të mbahet një qëndrim i egër nga ana e Grupit Parlamentar për të mbrojtur Sali Berishën dhe për ta përfshirë në grup, duke propozuar që t’i dërgohen letra ndërkombëtarëve.
Sakaq, Bylykbashi ka sqaruar atë që përcakton rregullorja për këtë rast, duke propozuar që të përdoret kjo metodë. Të këtij mendimi kanë qenë edhe deputetët Flamur Noka dhe Luan Baçi.
Pjesë nga diskutimet:
Gazment Bardhi: Kalojmë tek çështjet e rendit të ditës. Do këmbëngulim për mocionin me debat nesër për drogën dhe Xibrakën. Do të dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese përsëri mandatin e Xhaçkës. Do të diskutojmë tek të gjitha pikat e rendit të ditës për të cilat do votojmë kundër, përveç marrëveshjes me BE. Për çështjen e cila ka nisur si diskutim dhe kam marrë shumë shqetësime nga ana juaj në chatgrupin tonë (I referohet grupit të Whatsappit ku shumë deputetë kanë shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit për të lënë jashtë grupit Berishën dhe se duhet të bëhet betejë që të futet në Grupin Parlamentar të PD-së), ju sqaroj se kjo nuk është çështje e kryetarit të grupit, sepse anëtarësimi në grup sipas rregullores është me vetë deklarim. Unë mendoj që ne nuk duhet të biem në kurthin që të kthehemi përsëri tek përqendrimi i debatit publik për grupin.
Interesi i Edi Ramës është të na rikthej në debatin për grupin parlamentar, prandaj e luajtën në publik prej disa ditësh me këtë; një herë 35 anëtarë, një herë 38 anëtarë, sot e kishin bërë 42 anëtarë. Ne jemi grupi parlamentar i PD dhe kryetar i PD është Sali Berisha. Tani nga kjo kuptohet i gjithë absurdi i kësaj. Ne e dimë shumë mirë se kush është i përfshirë në grup parlamentar, që nga data 5 Shtator 2023 dhe nuk presim njohje nga Edi Rama për këtë mendoj. Grupi nuk ka një procedurë për futjen e deputetëve në grup, sepse kjo është me vetëdeklarim në Kuvend, pa përfshirjen e grupit. Psh para disa kohëve është përfshirë në grup kolegia Merita Bakiu, është vetëdeklaruar dhe është përfshirë pa u përfshirë grupi në këtë çështje. Mospërfshirja e z. Berisha që në nisje të kësaj Legjislature është bërë nga Kuvendi me interpretimin që nuk është tek lista fillestare që ka sjell Partia, para krijimit të grupit. Problemi nuk është tek ne. Në çdo rast më thoni çfarë shqetësimi kemi dhe si e adresojmë.
Tritan Shehu: Qëndrim të egër duhet të mbaj Grupi Parlamentar për të mbrojtur Sali Berishën, për ta përfshirë në grup, madje duhet edhe t’u dërgojmë letra ndërkombëtarëve, ku t’i informojmë për burgosjen politike të kreut të opozitës. Duhet të mendojmë një procedurë, të marrim vetëdeklarimet, të bëjmë diçka.
Oerd Bylykbashi: Rregullorja sqaron sesi behet anëtarësimi në grup (lexon nenin e rregullores). Pra vetëdeklarim dhe lista e KQZ. Këtë mendoj ta përdorim, por e vendosim.
Flamur Noka: Po kjo mund të behet mendoj.
Luan Baçi: Edhe unë mendoj si kolegët. Ne jemi shumica e grupit, të analizohet rregullorja dhe të bëhet.
Gazment Bardhi: Dakort. Për problemin që ngriti Albana, kam takuar Kryetaren e Kuvendit për këtë shqetësim dhe e kam kërkuar të mos pengohet funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare (TIMS-i dhe koncensionet në shëndetësi). Kryetarja e Kuvendit më ka konfirmuar që nuk ka asnjë vendim politik të PS për t’i bllokuar komisionet dhe keqkuptimet që janë krijuar duhet të zgjidhen. Nëse ka pengesa duhet të ulen dy kryetarët me dy nënkryetarët që të përcaktojnë vijimin, dhe të gjitha shkresat për informacion më është konfirmuar që nuk do pengohet asnjë, do të kalojnë dhe nuk do të këtë asnjë pengesë.