Një 36-vjeçar turk është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Turku Koray Aniç ishte dënuar nga Gjykata në Stamboll me 4 vite e 6 muaj e 5 ditë burgim, për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Mbi turkun rëndojnë akuzat për rrëmbim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare e Morinës ndaloi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Turqia, të dënuar për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje.
Si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk Koray Aniç, 36 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Stambollit e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e 36-vjeçarit, në Turqi.
(Arena e Lajmit)