Juventus do të përballet me Lazion të martën në orën 21.00, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Italisë. Pavarësisht suksesit 2-0 në aktin e parë, trajneri i bardhezinjve, Max Allegri kërkon përqëndrim nga skuadra.
“Frike se e mbyllim me zero tituj? Nuk duhet të ketë frikë, duhet të kemi dëshirën për të shkuar deri në fund. Kur je te Juventusi duhet të luash për të fituar trofe , ky aspekt mund të gjenerojë presion, por kjo është e bukura e të qenit në një klub të madh. Kemi mundësinë për të shkuar në finale që do të thotë se edhe do të luajmë Superkupën e Italisë në sezonin 2024-2025”.
“Skuadra është e motivuar, por do të ketë telashe nëse mendojmë se do të jetë gjithçka e lehtë dhe ka mbaruar, ka ende një gjysmëfinale kthimi për tu luajtur. Do të gjejmë një Lazio agresive që pas Sarrit po ndryshon dhe që do të kërkojë të përmbysë rezultatin. Duhet të jemi skuadër, të luftojmë, të fitojmë duelet por edhe të luajmë mirë teknikisht duke qenë të kthjellët”.
Dyshimi i madh i Juventusit ka të bëjë me sulmin, do të luajë Chiesa apo Yildiz përkrah Vlahovic, Allegri nuk zhbalancohet, me shumë mundësi do ta vendosë në momentin e fundit. Kupa e Italisë, si kurrë më parë këtë herë mund të jetë vendimtare edhe për fatin e teknikut dhe të disa prej lojtarëve.
“A do të ndikojë Kupa në zgjedhjet e klubit? Nëse bën rezultat je i zoti, nëse jo nuk je dhe aq. Duhet menduar gjithmonë për të tashmen dhe për objektivat, jo për të ardhmen. Ky është momenti më i rëndësishëm i sezonit, nuk kemi arritur ende finalen e Kupës së Italisë dhe as vendin në Champions. Unë po bëj një punë që më pëlqen, pastaj klubi ka të drejtën të bëjë vlerësimin” – tha ai.
(J.S/)