Një titull kampion sjell me vete shumë sekrete, shumë prapaskena, shumë ngjarje të ndodhura në një vit që bëjnë diferencën. Interi është shfaqur një grup i fortë për t’i shkuar deri në fund këtij rrugëtimi. “Gazzetta Dello Sport” sjell 20 motivet, aq sa titujt kampionë si Interi arriti të “qëndiste” yllin e dytë në fanellë.
1. FINALJA E HUMBUR Ky ky Inter lindi në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar arriti deri në finalen e Ligës së Kampionëve dhe kjo gjë tashmë dihet. Ajo që nuk dihet është betimi që bënë lojtarët gjatë rikthimit për në Milano. “Në korrik do të rinisemi pikërisht nga këtu. Nëse kemi arritur kaq afër me majën e Europës, në Itali mund të fitojmë patjetër”. Nga ajo skuadër u ndryshuan 12 lojtarë, praktikisht gjysma e organikës, por kush qëndroi në ekip e transmetoi këtë mesazh edhe tek të rinjtë.
2. SHUPLAKË LUKAKUT Dhoma e zhveshjes mbeti shumë e zhgënjyer nga veprimi i Romelu Lukakut. Shokët e skuadrës u ndien të tradhtuar nga belgu, por këtë gjë e shndërruan në inat. “Duhet të tregojmë se është ai që gaboi që u largua”. Interi ka sulmin më të mirë në italian, ndërkohë që Lukaku kërkonte më shumë minuta në dispozicion.
3. INZAGI U… RRIT Interi i këtij sezoni luan ndryshe nga ai i sezonit të kaluar. Është më fluid në lojë, më i vëmendshëm në kundërsulme. Ndryshimi ka ndodhur që tek trajneri Inzagi me stafin e tij. Por asgjë nuk iu imponua skuadrës. Ata e ndoqën hap pas hapi dhe madje prej tyre mori mendime. Trajneri është rritur shumë në lojë.
4. LAUTARO LIDER Nuk ishte thjesht një kapiten Lautaro Martinez, por një specie që diti të udhëhiqte në fushën e lojës dhe në dhomat e zhveshjes. Por ai nuk ishte vetëm, pasi edhe shokët iu bindën. Ishte një shirit, por shumë kapitenë.
5. TË ARGËTOHEN Kush tha që kultura e punës dhe serioziteti mund të pengojnë në argëtim. Nëse ambienti dhe puna është e shëndetshme produktiviteti rritet. Mbi të gjitha krijon personalitet për ekipin. Ajri që qarkullonte në “Appiano” në këtë sezon ishte ndryshe nga vitet e mëparshme.
6. INZAGI DHE ZHANG Videokonferenca e trajnerit mes trajnerit dhe Zhangut në fushën e lojës është thjesht ajo që duket nga ky raport. Presidenti dhe trajneri flasin gjithmonë, thuajse çdo ditë për hallet dhe të mirat e skuadrës. Kanë një raport të shkëlqyer dhe e respektojnë njëri-tjetrin.
7. NDRYSHIMI I TURAMIT Markus në turnetë verorë u paraqit një sulmues i brishtë dhe pa shumë forcë fizike. Në fillimet e sezonit Interi u tremb se ndoshta nuk do të ishte i duhuri, por pak kohë iu desh. Stafi punoi me një lojtar për ta shndërruar në një përbindësh të vërtetë. Gjeti vazhdimësi. Një lojtar që është lider edhe në dhomat e zhveshjes.
8. PAVAR I DASHURUAR Francezi e ka zhvilluar karrierën e tij në stadiumet më të mira të botës me klubet dhe kombëtaren. Por u befasua nga madhështia dhe dashuria e tifozëve në Milano. Aq sa pas ndeshjes së parë ku ishte si spektator tha: Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Po pres me padurim të debutoj. Kjo është diçka e jashtëzakonshme”.
9. MARKUS ÇFARË VESH? Mënyra se si vishet Turam nuk është kurrë banale. Shokët e kuptuan këtë që nga minuta e parë. Gjithmonë tërhiqte vëmendjen me këtë. Aq sa u shndërrua në një temë kryesore përpara stërvitjeve: Të gjithë prisnin se çfarë do të kishte veshur Turam atë ditë. Gjithmonë i ka befasuar.
10. INZAGI I FIKSUAR Që trajneri i Interit është shumë skaramantik këtë e dinim me kohë. Nuk bëhej fjalë që të ndryshonte veshje në këtë sezon. Me të njëjtën xhaketë pas fitoreve. Por ai ndryshonte edhe hotelin e skuadrës në rast se në ndeshjen e mëparshme nuk kishte shkuar mirë në atë transfertë. Por sa herë që Çalhanoglu bëhej gati për të goditur penalltitë, ai bënte prekjen me stil si për të larguar magjinë… Gjithmonë gol.
11. VALLËZIMI I ÇALHËS Personi më i kërkuar për ta takuar dhe për t’i dhënë një përqafim pas fitores së titullit kampion ishte Hakan Çalhanoglu. Ai ishte regjisori i festës së titullit, ashtu siç ishte regjisori i ndeshjeve dhe i lojës së skuadrës së Inzagit.
12. BISEDA ME SANÇEZIN Pas dyshes titullarë TuLa, një tjetër që ishte fantazmë dhe nuk po jepte më të mirën. Marko Arnautoviç ishte i dëmtuar, pavarësisht se të gjithë e duan. Sançez ishte ai që kërkonte më shumë vëmendje dhe minuta. Në janar ishte gati që të largohej nga Interi, por pati një diskutim me drejtuesit dhe trajnerin. Ata e bindën që mund të ishte më i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit. Dhe kështu ndodhi. E pranoi rolin si sulmues i tretë dhe dha kontribut.
13. DIMARKO MINALEZI Leksionin e interizmit për dhomat e zhveshjes e dha që nga minuta e parë Federiko Dimarko. I rritur me “bukën” e Interit që në hapat e parë të karrierës. I pari që u shfaq me tifozët për të festuar si i çmendur titullin e parë në karrierë.
14. EFEKTI I ÇEKIT Mario Çeki është njeriu që u afrua tek Interi dhe një nga të besuarit e Inzagit. Ka për detyrë zhvillimin e lojës nga mesfusha drejt sulmit, por t’i hysh thellë-thellë bën më shumë se kaq. Në stafin e Inzagit që përbëhet nga shumë persona që punojnë bashkë prej vitesh, ai është njeriu kryesor sepse ka për detyrë që të zbatojë në fushë mendimet e trajnerit. Ai që i sugjeroi që Pavar të ishte në treshen e mbrojtjes dhe jo si anësor.
15. PAKTI I TITULLIT Nëse sheh renditjen tani duket sikur ka kaluar një epokë, por ishte një moment në kampionat kur Juventusi i shkoi shumë afër Interit. Ndërkohë që Alegri përdorte shprehjet me hajdutë e policë, zikaltrit ishin të angazhuar në Superkupën e Italisë. Aty në Arabi u bë pakti i titullit. Të gjithë njëzëri menduan se është viti i duhur për yllin e dytë në fanellë, pasi Alegri ishte duke e tepruar shumë me krahasimet. Dhe kështu ndodhi.
16. TRESHE ËNDRRASH Davide Fratezi erdhi tek Interi për të marrë më shumë minuta, por në fakt qëndroi në heshtje dhe priti gjithmonë momentin e tij për të bërë më të mirën. Bashkë me të edhe Karlos Augusto dhe Kristjan Asllani, personazhe perfekte që krijuan një treshe interesante me njëri-tjetrin. Një miqësi e sinqertë dhe që tregonte atmosferën që ishte në dhomat e zhveshjes.
17. RREGULLA E 18:50 Autobusi i Interit përpara ndeshjeve të luajtura në “San Siro” në 20:45 është nisur gjithmonë në orën 18:50. Gjithmonë në atë orë dhe ka arritur që të shkojë në stadium 1 orë e çerek përpara fillimit të ndeshjes. Asnjëherë më përpara. Më shumë sesa një besëtytni është një arsye që Inzagi mendonte se po të shkonin më përpara në stadium do të rrezikonin që të merreshin me atmosferën dhe të tjera gjëra duke u shpërqendruar. Më mirë pak pritje dhe menjëherë në fushë.
18. TRURI I DARMIANIT DHE BASTONIT Me dy italianët nuk merresh dot. Nuk i gjen dot gabim dhe as nuk mund t’ua hedhësh. Janë dy më të përgatiturit mes kampionëve të rinj të Italisë sepse në kulturë të përgjithshme askush nuk di më shumë sesa ata. Të panumërta herët që kanë futur shokët në “provime” njohurie.
19. FRIKË NGA AVIONI Nuk është e lehtë të luash për Interin dhe të kesh frikë nga avioni. Të ishte për Marko Arnautoviçin duhej që zikaltrit të luanin gjithmonë në Milano. Ose maksimumi në Bergamo e Torino. Disi më pak vuajnë Çalhanoglu, i cili gjithsesi ka frikë nga fluturimet dhe Bastoni që nuk duron dot nisjen e avionit.
20. KUZHINIERI IDHULL Nëse keni pak fat, ndoshta një herë në jetë mund të provoni tortën me mollë të Marko Sperancës. Shefi i kuzhinës tek Interi përgatit një ëmbëlsirë për të cilën çmenden kampionët e rinj të Italisë. Gjithmonë kur kanë lejen e nutricionistit të klubit, Mateo Pinçela.