Bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj qëllon me thikë drejtorin e ATK, ngjarja në mes të Tiranës

Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, ka goditur disa herë me thikë drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Mësohet se Ibrahimaj e kërcënonte drejtorin e ATK, Eri Koshaj prej një kohe të gjatë, madje e kërcënonte për të dhënë dorëheqje si dhe e përndiqte.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Pazarit të Ri” ku mësohet se Ibrahimaji i kishte zënë pritë Koshajt.

Një ngjarje në përmasat e skandalit ka ndodhur mëngjesin e datës 20 Nëntor 2023, në mes të Tiranës, por që është mbyllur nga përfshirja e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore. Sigurisht, autori i goditjeve me thikë është burri i një ministre.

Rasti është kallëzuar dhe në Policinë e Tiranës, në Komisariatin Nr.1 nga Eri Koshaj, por institucionet kanë heshtur. Me kërcënime dhe ndërhyrje të shumta “nga lart”, kallëzimi i Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave është pluhurosur në sirtare.

Prokuroria e Tiranës ka marrë materialet proceduriale të referuara nga blutë e kryeqytetit, por ka vendosur që të pushojë çështjen. Nga ndikimi dhe influenca e fortë e njerëzve të përfshirë në ngjarje vetëkuptohet dhe vendimi i organit të akuzës.

Redaksia disponon dhe ekzaminimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryer nga mjeku ligjor Harallamb Martopullo i cili provon se në trupin e shtetasit E.K janë konstatuar dremishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet mbretës. Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht.

Ibrahimaj kërcënonte Koshajn prej një kohe të gjatë që të jepte dorëheqjen
Arsyeja e këtij konflikti që degjeneroi deri në përdorimin e thikës nga ana e burrit të ministres socialiste, Andri Ibrahimaj, është pikërisht posti që mban Eri Koshaj si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Atij i është kërkuar vazhdimisht të japë dorëheqjen, gjatë kohës që bashkëshortja e Andri Ibrahimaj drejtonte Ministrinë e Financave.

Agjencia e Trajtimit të Kredive është një institucion në varësi të kësaj ministrie dhe shtetasi E.K nuk ka pranuar që të largohet pas presioneve dhe kërcënimeve. Një tjetër detaj që thellon skandalin ku është përfshirë Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj. Ky shtetas i ka kërkuar vazhdimisht E.K që të jepte dorëheqjen sepse drejtor do të emërohej një shok i tiji. Pra, burri i ministres Delina Ibrahimaj duket se de fakto drejtonte Ministrinë e Financave, sepse vendoste se kush do të emërohej dhe kush do të largohej nga detyra.

Përndjekjet ndaj shtetasit E.K janë shtuar përgjatë muajve dhe mëngjesin e datës 20 Nëntor 2023, Andri Ibrahiamj sapo e ka parë duke kaluar në rrugë ka dalë nga lokali ku ndodhej, duke shkuar drejt Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Aty e ka kanosur dhe ofenduar me fjalë fyese, ndërsa ka tentuar dhe ta çojë drejt një ambienti tjetër privat për “t’u sqaruar”.

Kur drejtori nuk ka pranuar, referuar dhe kallëzimit të depozituar në Komisariatin Nr.1 në Tiranë, burri i ministres ka nxjerr nga brezi një mjet në dukje prerës dhe e ka qëlluar në pjesën e brinjëve dhe të fundshpinës. Këto goditje ndaj drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive janë provuar dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Interesante është dhe ajo që ka ndodhur pas kësaj ngjarje.

Andri Ibrahimaj është larguar menjëherë nga Shqipëria, e provuar kjo dhe nga sistemi TIMS. Nga frika se mos rasti bëhej publik dhe ai arrestohej, burri i ministres Delina Ibrahimaj ka vendosur të ikë nga vendi atë periudhë. Shteti është vënë në dispozicion të tij.

Ngjarja është tentuar të fshihet dhe E.K është kërcënuar që të mbyllë gojën. Ai është shkarkuar nga posti i Drejtoritë të Përgjithshëm në Agjencisë e Trajtimit të Kredive, institucion në varësi të Ministrisë së Financave që sot drejtohet nga Ervin Mete, dhe asnjë institucion nuk ka marrë masa për një sulm fizik në përmasat e skandalit.

Pjesë në këtë shkarkim ka dhe vetë ministrja Delina Ibrahimaj, e cila edhe përse është larguar nga Financat ka aty të gjithë stafin që ka emëruar në vite dhe bën ligjin. Ashtu siç u tentua dhe me drejtorin e ATK-së, por ky i fundit nuk pranoi të largohej për t’ia lënë postin shokut të burrit të ministres. Punë ka, por dhe profesionistë po! Ama në Shqipëri ka një rregull të pashkruar që nuk të lënë të punosh kur je i aftë…/ Lapsi.al

Arena e Lajmit

Bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj qëllon me thikë drejtorin e ATK, ngjarja në mes të Tiranës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook