Dëmtimi i bustit të Skënderbeut në Gjenevë, ambasada shqiptare në Zvicër: Akti mund të jetë antishqiptar, të presim përfundimin e hetimeve…

Ambasadori shqiptar në Zvicër, Mustafa Nano ka reaguar në lidhje me dëmtimin e bustit të heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Nano shprehet se duhet të presim për një përgjigje nga ana e hetuesve për atë që ka ndodhur me bustin e heroit. Nano shton më tej se nga ambasada shqiptare në Zvicë urohet që gjesti të jetë thjesht një vandalizëm urban, duke shtuar se nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të fshehë një sfond nacionalist antishqiptar.

Reagimi i Ambasadorit të RSH-së në Zvicër, z.Mustafa Nano për dëmtimin e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Në mbrëmjen e së premtes së kaluar, në Gjenevë është dëmtuar busti i heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, çfarë të bën të mendosh se në Zvicër ka njerëz që shqetësohen prej atij busti e prej simboleve kombëtare shqiptare të eskpozuara në publik. Kryetari i Bashkisë së Gjenevës ka reaguar sakaq, duke shfaqur kështu ndjeshmërinë e vet ndaj provokimeve që synojnë të nxisin tensione mes grupeve e pakicave etnike në qytetin e tij, dhe ky është një sinjal i mirë që u dërgohet shqiptarëve të fyer prej këtij gjesti.

Nga ana tjetër, policia ka filluar hetimet, dhe ne duhet të presim përfundimin e këtyre hetimeve, me shpresën se akti në fjalë është thjesht një vandalizëm urban, sidoqë është vështirë ta heqësh mendjen prej skenareve të tjera me sfond nacionalist e antishqiptar. Lëri të tjerat, por akti është i përsëritur.

Nëse është ky rasti, atëherë është për të ardhur keq që ngjarje të tilla ndodhin në Zvicër, vendin e bashkëjetesës në diversitet par excellence. Është për ardhur keq gjithashtu që ka njerëz, të cilët nuk kanë ardhur në Zvicër për të nxënë e përfituar prej modelit të saj, por për të shpalosur e nxitur paragjykime, mllefe e animozitete, me të cilat janë mbrujtur në vendin e tyre të origjinës.

Në këtë kuptim, Ambasada e Shqipërisë e dënon aktin në fjalë jo thjesht se ai ka synuar të lëndojë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe se e sheh këtë si një akt jomiqësor ndaj Zvicrës, që me modelin e vet rreket të përcjellë mesazhin e harmonisë, e jo të përplasjes, ndëretnike.

Ne ju bëjmë thirrje shqiptarëve me banim në Zvicër të kenë besim te puna e autoriteteve zvicerane për ta zbardhur e ndriçuar ngjarjen.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

Dëmtimi i bustit të Skënderbeut në Gjenevë, ambasada shqiptare në Zvicër: Akti mund të jetë antishqiptar, të presim përfundimin e hetimeve…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook