Dy persona të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, i janë drejtuar me kërkesë Gjykatës së Sarandës për shuarje të dënimit. I pari është Aleksandër Bala alias Aleko Bala, 54 vjeç, i dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Sarandës për “parashkrim të vendimit penal”. Çështja pritet të shqyrtohet të martën 30 prill ora 10.30 nga Gjyqtari Mikel Hysometaj. Bala mesa duket i referohet legjislacionit shqiptar që parashikon që “Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim”. Bala e ka kryer këtë kërkesë edhe në vitin 2022, por mesa duket nuk i’a ka dalë të shuajë dënimin për shkak të mospërmbushjes së afateve.
Aleksandër Bala i njohur si Aleko apo Leku, pronar i një parkingu privat në Sarande, u shpall në kërkim nga policia në nëntor 2017 pas një operacioni të madh të policisë për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për autorët e “Masakrës së Qafë-Gjashtës”. Ata akuzoheshin se në 4 mars 1997 vranë dhe dogjën oficerin e policisë Gjergj Mehmeti, mbajtën peng dhe torturuan oficerin Eduard Aliaj dhe tentuan të vrasin oficerët e policisë Sokol Bizhga e Myzafer Blushi. Për ngjarjen në fjalë u arrestuan Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa e Edmond Sejko si dhe u shpallën shumë të tjerë në kërkim. Nga të gjithë të akuzuarit vetëm vëllezërit Sinani kryen dënimin e tashmë kanë dalë nga burgu, pasi Çipa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit e Sejko u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.
Vlen të theksohet që të gjithë personat ne kërkim janë arrestuar në kohë të ndryshme nga policia greke, por Gjykatat e këtij shteti nuk kanë pranuar t’i ekstradojnë. Mes të kërkuarve që nuk është ekstraduar është edhe Agron Qurku, i cili veç masakrës së Qafë-Gjashtës është dënuar edhe për vjedhje bankash, plagosje, rrëmbim etj.
I dyti që ka kërkuar “parashkrim të vendimit penal” është Ermal Nika, 43 vjeç. Ai kërkohet prej 16 korrikut 2006, kur në fshatin Vanë të Delvinës janë sekuestruar 648 kg marijuanë. Në pranga atëherë ranë oficerët e policisë së Sarandës, Ylli Kapo e Gentian Baba ndërsa u shpall në kërkim Ermal Nika e Pelivan Mehmetaj. Ky i fundit u ekstradua nga Italia në vitin 2014, ndërsa Nika vazhdon ende të jetë në arrati. 43-vjeçari nga Saranda është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në vitin 2008 me 5 vjet e 4 muaj burgim, vendim i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 pas një kalvari procesesh që përfshiu edhe Gjykatën Kushtetuese. Çështja në ngarkim të Nikës do të gjykohet të martën më 30 prill ora 12.30 nga Gjyqtari Entiljano Spahiu.
()