Nga bojkoti te shkëlqimi, rruga plot vështirësi e Maget te Partizanit

Sot e shohim të shkëlqejë e themi të gjithë se ky është lojtar i një niveli tjetër, por rrugëtimi i Maget Gueje te Partizani ka kaluar shumë pengesa deri në pikën ku jemi. Më 5 shtator të vitit 2021 Partizani njoftoi firmën me të dhe Sembene, sot titullar në mbrojtje.

FILLESAT – Kjo treshe erdhi si një bashkëpunim mes klubit të kuq dhe Partizanit. Lidhjet i krijoi drejtori Olsi Rama, i cili në atë kohë mbante rol kryesor në prurjet në merkato, bashkë me Ilir Dajën, që ishte trajner i ekipit, por kishte peshën e tij të vendimmarrjes në secilin transferim. Që në ditët e para klubi e dalloi se Maget kishte tregues të një lojtari me të ardhme. Në muajt e parë binte në sy në stërvitje, por herë pas here shfaqte probleme fizike dhe vështirësi në përshtatjen me fushat sintetike.

NDESHJET – Debuton vetëm pesë ditë pas firmës mbi kontratë, duke u aktivizuar në minutën e 85-të në vend të Damçevskit në një ndeshje të komplikuar, e humbur minimalisht kundër Teutës. Ishte vetëm 18 vjeç, nuk kishte hapësira sa duhet, ndikuar edhe nga fakti që skuadra ishte në vështirësi. Pas një krize rezultatesh, Ilir Daja largohet nga Partizani dhe klubi ia beson stolin Dritan Mehmetit. E mbyll sezonin me 20 paraqitje gjithsej, por vetëm 513 minuta të grumbulluara. Pikën më të vështirë në fushë e shënon në Europë, kur humbet penalltinë, që e eliminon Partizanin nga Europa në serinë kundër Saburtalos në “Air Albania”.

Para kësaj ndeshjeje i riu dukej jo i lumtur me aktivizimin dhe me kalimin e kohës pakënaqësia shtohej. Me Mehmetin dhe drejtuesit e tjerë marrëdhënia nuk ishte më e mira e mundshme. Bashkë me Sembene, të cilin trajneri e kishte dërguar në ekipin U-21, Maget nuk pranon të dalë në stërvitje dhe kërkon largimin me çdo kusht. Ata nuk shkojnë në fazën përgatitore në Pogradec. Në klub përpiqen ta bindin se është lojtar i së ardhmes dhe momenti i tij do të vijë, por djaloshi duket i mbushur emocionalisht dhe kërkon letrat. Në verë Mehmeti shkarkohet nga presidenti Demi pas dështimit në Europë dhe drejtimin e klubit e merr italiani Xhovani Kolela.

SEZONI I DYTË – Tensioni ishte ende në ajër dhe dy lojtarët vijonin të bojkotonin stërvitjen, edhe pse klubi kishte ndërmarrë masa ndëshkimore financiare. Në gjysmën e parë të se zonit Maget nuk luan asnjë ndeshje. Zbret në fushë në dhjetor të 2022-shit. Pas disa muajsh me probleme, tensioni ishte shuar. Me kalimin e kohës djaloshi nis të fitojë besimin e Kolelës për talentin dhe sjelljen e tij të mirë jashtë fushe. Trajneri i beson fanellën e titullarit kundër Kukësit, Egnatias dhe Erzenit. Ndeshje pozitive, pa gabime, por ende asgjë speciale e shprehur. Në mars të 2023-shit i besohet fanella e titullarit në derbin me Tiranën. Fiton Partizani 2-0 dhe bie në sy maturia dhe rrjedha që djaloshi i jep lojës. Në vijim dëmtimet e ndalojnë dhe duket sikur progresi nuk ndodh. Nga dhjetori i 2022- shit e deri në verën e 2023-shit Maget nis 10 ndeshje si titullar, që sërish janë pak.

EUROPA – Kolela largohet pas fitimit të titullit dhe në krye të ekipit vjen Zoran Zekiç, trajner me emër në Kroaci. Mes të gjithëve kroati spikati cilësitë e Maget, që u bashkua vonë me skuadrën pas pushimeve dhe ishte më mbrapa me përgatitjet. Por kjo nuk e pengoi Zekiçin që t’i besonte disa minuta kundër BATE Borisovit dhe më pas atë të titullarit me Valmierën dhe Astanën. Në vijim historia dihet, Maget shkëlqen çdo ndeshje e më tepër dhe i bind të gjithë se është një lojtar që Superiorja e sheh rrallë.

ÇMIMI – Kontrata me Partizanin i skadon vitin tjetër, por kjo nuk e pengon klubin të ketë pretendime të mëdha për shitjen. Presidenti Demi kërkon të thyejë rekordin e Skukës. Vetëm dy ditë më parë ai shprehej: “Për Maget ka ardhur një ofertë shumë serioze prej 1.3 milionë eurosh dhe 20 për qind të kartonit. Pas derbit kam thënë sekush nuk sjell 2 milionë euro, nuk e merr Magetin”.

Arena e Lajmit

Nga bojkoti te shkëlqimi, rruga plot vështirësi e Maget te Partizanit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook